Kryetari i degës së Vetëvendosjes në Podujevë, Bajram Ajeti, ka drejtuar një mori akuzash drejt drejtorisë së arsimit. Këto akuza ai i ka bërë për gjendjen në të cilën është shkolla e mesme e ulët “Enver Maloku” në Podujevë, transmeton Llapi.info.
Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social në Facebook, Ajeti tha se gjendja e tillë e kësaj shkolle po njollos emrin, e Enver Malokut.
Ju sjellim të plotë postimin e Ajetit në Facebook:
“O Enver Maloku, po të vrasin prap!
Nëse R.Tagora tha:” O arsim hyjneshë e kësaj bote”, nëse shkon dhe viziton SHFMU “Enver Maloku” në Besianë dhe shef gjendjen në të cilën është kjo shkollë, atëherë duhet të bërtasish deri në kupë të qiellit “O ju kafshë njerëzore që udhëheqni arsimin në Llap, pse shkatërroni arsimin deri në këtë shkallë”.
Gjendja e kësaj shkolle është e tmerrshme, e dhimbshme dhe tragjike, të mbushet mendja se ka përjetuar luftën më të tmerrshme shkatrruese, ku asgjë në këtë shkollë nuk ka qenë nën kujdesin e faktorit njeri dhe aq më pak apo fare kujdesi institucional i atyre që kanë marrë përgjegjësinë për të udhëhequr,zhvilluar dhe përparuar arsimin në komunën e Besianës.
Në hyrje të bie në sy shkarravina në ngjyra, dera e hyrjes e dëmtuar.Në dhomën e parë drejtë ndoshta salla e mësimëdhënësve pa karrika, në dysheme tekste shkollore tenderike të pa shpërndara, por në ball lartë në mur fotografia e Enver Malokut emrin e të cilit mban shkolla, nga dhembja them lirisht se kjo shkollë njollos emrin, veprën dhe jetën e tij.
Më tutje shef klasët pa dyer, pa dysheme,banka të thyera, karrika të thyera,mure të shkarravitura, banjot të shkatërruara plotësisht dhe fiton përshtypjen njeriu që e viziton se kjo shkollë nuk ka pasur nxënës dhe personel mësimor për proces mësimor për s’paku dhjetë vjetë, por e vërteta është ndryshe në këtë objekt shkollor mësimi është mbajtur së fundi në vitin shkollor 2015/2016.
Në një klasë të varur në mur gjen fotografinë e Skenderbeut,që nën të virret tabela e shëmtuar, që nuk të jep përshtypjen se as abc-në nuk e ka përcjell tek nxënësit e mos të flasim për të arriturat e shkencës bashkëkohore.
Nga kjo gjendje e tillë vetëvetiu shtrohet pyetja athua çfarë rezultatesh ka arritur kjo shkollë në edukimin dhe arsimimin e nxënësve, por jo vetëm për këto por edhe ngritje të cilësisë pët të cilën gjë ministria ka shpallur këtë vit të “cilësisë” në arsim.
Dola me dhembje të shpirtit nga kjo shkollë që në muret e saj vareshin fotografia e Skenderbeut dhe Enver Malokut, në klasë të shkatërruara.
Për të qenë në shërbim të qytetarëve udhëheqësitë duhet të udhëhiqen nga përgjegjësia dhe përgjegjëshmëria, por edhe të posedojnë një filozofi morale, kurse kjo që po ndodh me arsimin në komunën e Besianës është brengosëse dhe shqetësuese për derisa udhëhiqet nga njerëz të cilët kanë interesin personal mbi atë të përgjithshmin, ku më shumë frekuentojnë nëpër zyrat e tyre operator ekonomik ,klientelizmi, se qytetarë që presin me muaj e nuk pranohen për të paraqitur hallet e tyre.
Se popullit tim i duhet shteti i dijes nuk ka dilema, por se munden këta pushtetmbajtës me logjikë të mbrapshtë, të padijtur,pa vullnet dhe përkushtim për t’iu shërbyer qytetarëve jam i sigurtë se jo.
Bajram Ajeti”