Me rastin e 21 shtatorit, Ditës Ndërkombëtare të Paqes, Iniciativa Vullnetare “RB” në bashkëpunim me stafin e SHMU “Ibrahim Rugova” të qytetit të Podujevës, organizuan një aksion simbolik, duke dhënë një mesazh të paqes për të gjithë fëmijët e botës, transmeton Llapi.info.
Kjo është bërë e ditur përmes një postimi në faqen zyrtare të kësaj iniciative në rrjetin social Facebok.
Sipas këtij postimi Kryetari i Iniciativës Vullnetare “RB”, Reshat Blakçori falë kontributit të drejtorit, Selman Hoti dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle, kanë organizuar në mënyrë simbolike grumbullimin e nxënësve, të cilët kanë përforcuar këngë dhe lutje për të gjithë fëmijët e botës, duke dëshiruar që në jetën e tyre të mbretëroj paqja e liria, pa dallim ngjyre dhe etnie.
Mesazhin e kësaj simbolike e ka fuqizuar pjesëmarrja në këtë “ritual” e nxënësve të komunitetit ashkali, të cilët i vijojnë mësimet në këtë shkollë. Jo rastësisht, cak i Blakçorit për këtë simbolikë, ka qenë kjo shkollë, ku stafi dhe nxënësit e këtij institucioni, të gjithë nxënësit e komunitetit pakicë të ashkalive i trajtojnë në mënyrë të barabartë me nxënësit shqiptarë. Ne vizituam edhe SHMU “Kongresi i Manastirit” në fshatin Gllamnik të Podujevës, ku po ashtu në bashkëpunim me drejtorin e kësaj shkolle, Ajet Ajetin, kemi realizuar simbolikë paqeje, ku kanë marrë pjesë edhe nxënësit me nevoja të veçanta, thuhet ndër të tjera në postimin e Iniciativës Vullnetare “RB”.