Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, sot është takuar me qytetarët e Komunës së Podujevës.
Në këtë takim Ramush Haradinaj ishte së bashku me Kryetarin e AAK- së dega në Podujevë, Fatmir Humolli dhe bashkëpunëtorë tjerë të kësaj partie.
Haradinaj u takua me qytetarë nga Podujeva edhe përgjatë rrugës për në vend takim që u mbajt në Sallën e Kinemasë në Podujevë.
Në këtë tubim ai tha se arsyeja që e ka shtyrë të vij në këtë qytet është që të shpjegoj se si janë duke shkuar proceset qeverisëse këto vitet e fundit në Kosovë, shkruan Llapi.info.
Ai para qytetarëve llapjanë tha se si opozitë kemi penguar dy marrëveshje të cilat janë në dëm të Kosovës dhe se ç’do qeveri e ardhshme nuk do të mund t’i korrigjonte më ato gabime.
“Pra sikurse Kosova ta vendoste marrëveshjen për bashkësinë e komunave tanimë të njohur si Zajednicë në Kosovë nuk kishim mundur ma me e ndryshu. Pra kundërshtimi i kësaj marrëveshje ka qenë shumë legjitim shumë i drejtë dhe shumë i nevojshëm” tha Haradinaj.
Ndërsa për kufirin me Malin e Zi, Haradinaj u shpreh se nëse dikush gjen ndonjë hartë që e dëshmon se kufiri është në Kuqishtë atëherë do e lëshoj Kosovën.
“Pse demarkacioni u dashke me qenë kundër. E shpëtuam Kosovën prej gabimit për mi bo dy Kosova, një të asaj që kemi ra dakort në 2008 edhe një të marrëveshjes. Shikoni prej 46- ës, kufiri ka ekzistu edhe kurrë nuk e gjon dikush një hartë. Nëse dikush njëherë e gjen një hartë prej qe ekziston ish- Jugosllavia se për këta kufi të ri që po flasim a ekonomike a turistike a fare do që thotë se kufiri është në Kuqishtë, unë s’rri në Kosovë më” u shpreh ai.
Përveç kësaj ai tha se i vetmi person në histori që ka thënë se kufiri është në Kuqishtë, është Murat Meha.
“ Vetëm Murat Meha e ka gjet se kufiri është në Kuqishtë. Pra imagjinoni se vetëm ky njeri e ka gjet në historinë tonë se kufiri është në Kuqishtë. Kurrë nuk ka ekzistua ky kufi kurrë asnjë rresht nuk e gjen diku, se le më në harta që thotë ashtu, e kundërta është” tha ai.
Në këtë tubim fjalën e mori edhe Kryetari i degës së AAK- së në Podujevë, Fatmir Humolli ku tha se misionit shoven serb të cilit i kanë dalë përballë veteranë e intelektualë të popullit, duhet t’u përkulemi dhe të jemi falënderues ndaj tyre, teksa shtoi se AAK po krijon kushte të mira për qytetarët falë udhëheqësit të tyre Ramush Haradinaj.
Për fund në këtë takim me Kryetarin e AAK- së u bënë edhe disa pyetje nga qytetarët e mbledhur ndaj Haradinajt i cili pas përgjigjeve të dhëna përmbylli këtë takim me qytetarët në Podujevë./Llapi.info