46 fermerë kultivues të mjedrës dhe boronicës në Podujevë janë subvencionuar sot nga Komuna me sistem të ujitjes pikë- pikë, shkruan sot Llapi.info.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, i cili u dhuroi këtyre fermerëve pajisjet për këtë sistem tha se Komuna do ta vazhdojë t’i mbështes fermerët edhe në vitet e ardhshme.
“Kjo është përkrahje për sistemin e ujitjes për mbjelljet që do të bëhen në vjeshtë, është fjala për 23 hektar që mbulon kjo sasi të cilën ne e kemi nda. Edhe përkrahja për këtë kulturë sikurse jemi marr vesh me fermerët do të vazhdojë edhe viteve të ardhshme nga komuna por edhe jemi në biseda edhe me donatorë të tjerë me përkrahës të tjerë të kësaj kulture” tha Veliu.
Ndërsa, Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Avni Fetahu, tha se nga këta 46 fermer që janë subvencionuar vetëm njëri prej tyre është kultivues i boronicës.
“Numri i përfituesve gjithsej është 46 përfitues me nga 50 ari që e mbulojnë sistemin e ujitjes pikë –pikë. Njëri prej tyre është me boronicë, është një rast i veçantë që e kemi në Llapashticë edhe urojmë që edhe kjo kulturë të zhvillohet edhe të përparoj sikurse ajo e mjedrës për arsye se ka një profit jashtëzakonisht të mirë” tha ndër të tjera Fetahu.
Përpos kësaj, Veliu bëri të ditur se janë marr vesh me USAID- in që të fillojnë me certifikimin e të gjithë fermerëve që merren me mjedër.
“Ne do të jemi në bazë të premtimeve që mi ka dhanë drejtori i USAID-it do të jemi komuna e parë në Kosovë që do t’i kemi të certifikum të gjithë fermerët që merren me mjedër. Në këtë projekt do të kontribuoj edhe USAID-i edhe Komuna edhe një institucion që do të jetë implementues i këtij programi , projekti”- shtoi më tutje Veliu.
Për fund, Veliu i përgëzoi fermerët që po punojnë me këtë kulturë duke ua kujtuar atyre fjalët e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se ata janë shembull i mirë se si mundet me punë dhe përkushtim të përfitohet nga kultivimi i kësaj kulture./Llapi.info
https://www.youtube.com/watch?v=NzC9xAgdXZ8&feature=youtu.be