Më shumë se një vit është bërë që 20 shkolla dhe çerdhja e fëmijëve “Drita” menaxhohen nga ushtrues detyre të drejtorëve.

Po kaq kohë ka që nuk është rishpallë konkursi për drejtorë, pasi kishte dështuar dy herë për disa shkolla dhe një herë për disa të tjera. Komunarët thonë se u është dashur edhe fushatë sensibilizuese për të bindur kandidatët e mundshëm që të aplikojnë për drejtorë shkollash.

Kjo thonë se është arsyeja e vonesës së rishpalljes së këtij konkursi. Nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, i cili deri para pak ditësh ishte drejtor për Arsim, ka thënë se nuk kanë pasur probleme në menaxhimin e asnjë shkolle gjatë kësaj periudhe.

“U është vazhduar edhe për një kohë si ushtrues detyre, sepse ka pasur ndryshime në Udhëzimin Administrativ të MASHT-it. Dhe tash shumë shpejt do ta shpallim (konkursin) në bazë të këtij Udhëzimi Administrativ dhe përzgjedhjen do ta bëjmë në bazë të tij”, ka thënë Nexhmi Rudari, shkruan Koha Ditore.