Me një aktivitet të organizuar nën përkujdesjen e Kryetarit të Podujevës, Agim Veliu në bashkëpunim me programin AGRO të USAID- it dhe shoqatën “Mjeda e Llapit” sot është shënuar “Dita e Mjedrës” në Podujevë.
Qëllimi kryesor i këtij organizimi ishte promovimi i mjedrës dhe produkteve të saj, të kultivuara nga fermerët llapjanë, shkruan Llapi.info.
Me rastin e shënimit të kësaj dite, Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu i përgëzoj fermerët llapjanë të mjedrës për punën e tyre duke i premtuar ata se mbështetja ndaj tyre nuk do të mungojë dhe se gjatë vitit 2017 do të filloj edhe aplikimin për certifikimin e fermerëve të mjedrës Global Gap.
“Nga viti 2017 në bashkëpunim me USAD- in do të fillojmë aplikimin e programit që ka të bëjë me certifikimin e fermerëve kultivues të mjedrës me standardin Global Gap. Ky projekt do të ndikojë si në cilësinë e produktit të mjedrës ashtu edhe në ngritjen e çmimit të saj. Përkrahja e kultivueseve të kësaj kulture nuk do të përfundoj me kaq. Ne jemi duke punuar që të ndërtojmë edhe qendrat e përpunimit të mjedrës dhe produkteve të saj” tha ai.
Sipas Veliut vetëm gjatë këtij viti fermerët e mjedrës kanë sjellë të hyra rreth 4 milion euro në vend.
“Konsiderohet se fermerët llapjanë sivjet kanë arritur të arkëtojnë rreth 4 milion euro të hyra nga mjedra kurse në kultivimin e kësaj kulture janë angazhuar rreth 150 punëtorë. Unë si kryetar i komunës jam i përkushtuar tu qëndroj afër fermerëve të vyeshëm llapjanë përmes subvencionimeve për bujqësi të cilat subvencione po kthehen në vende të reja të punës si dhe po përmirësojnë standardin e jetës së qytetarëve tanë” shtoi ai.
Në këtë manifestim mori pjesë edhe Zëvendësi i Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi. Me këtë rast ai tha se Podujeva po konsiderohet ndryshe edhe si ari i kuq i Kosovës për shkak të potencialit të saj për përpunimin e mjedrës.
“Mjedra e Kosovës dhe Podujevës me të drejtë po konsiderohet ari i kuq i Kosovës e cila po depërton fuqishëm në tregun e madh të OSBE- së prej 500 milionësh konsumatorë dhe me të drejtë mjedra e Kosovës tani është më e kërkuara në tregun e bashkimit Evropian” tha ai, duke shtuar se kjo ministri gjatë vitit 2016 ka subvencionuar fermerë nga e gjithë Kosova ku në mesin e tyre ishin edhe këta nga Podujeva.
Me rastin e shënimit të kësaj dite edhe Drejtori i programit AGRO të USAID- it Mark Wood tha se kjo punë nuk është e lehtë, por me mbështetjen e marrë kemi ardhur deri në këtë ditë.
“Ne jemi duke uruar suksesin e prodhimit të mëtutjeshëm të zhvillimit të kësaj Komune në të ardhmen dhe ne vet e dimë se asgjë nuk është e lehtë dhe e dimë se për mbështetjen që ka ardhur nga ministria nga donatorët nga vetë kultivuesit, është pra kontributi i të gjithëve për suksesin që kemi ardhur deri në këtë ditë” tha Wood.
Ai u shpreh se tregjet Evropiane po e shohin Kosovën si një furnizues të mirë të cilësisë së produkteve
“ Tregjet Evropiane po e shohin Kosovën si një furnizues të produktit të cilësisë shumë te lartë. Ne nuk mund të ndalemi dhe të mos fshihemi duhet të ecim përpara të gjithë. Duke i njohur dhe duke i ditur të gjitha vështirësitë që nuk kanë qenë të lehta ne e dimë se Kosova do të bëhet furnizuesi i parë i produktit më të mirë më cilësorë dhe si zakonisht Komuna e Podujevës do ta mbaj udhëheqjen dhe jemi duke e çmuar shumë se në vitin që vjen, në tërë vendin fermerët do të jenë të certifikuar dhe atëherë do të kemi blerje nga e gjithë Evropa” përfundoi ai.
Kjo ditë u manifestua edhe me aktivitete të ndryshme si me vallëzim tradicional dhe pikturim.
Të pranishëm në këtë manifestim ishin figura të ndryshme si zëvendësministra, deputetë të Republikës së Kosovës, Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Republikës së Kosovës, Sazan Ibrahimi, fermerë dhe qytetarë./Llapi.info