Ministria e Infrastrukturës prezantoi të arriturat dhe të gjeturat gjithëpërfshirëse të studimit të fizibilitetit për vazhdimin e Rrugës 7, autostradës “Ibrahim Rugova” në segmentin Prishtinë-Merdar, njofton kumtesa ministrore, transmeton Llapi.info.
Në fjalën hyrëse, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, tha se sot po bëhet prezantimi i parë i një rruge të rëndësisë së posaçme për ne, vazhdimi i segmentit Besi-Merdar të autostradës “Ibrahim Rugova”. Rëndësia e kësaj rruge sipas tij është se me përfundimin e këtij segmenti do të bëhet i mundur shfrytëzimi më i madh i autostradës aktuale “Ibrahim Rugova”.
“Kjo pjesë e autostradës do të vazhdojë edhe në Serbi, Merdar-Nish. Kompletimi i autostradës deri në Nish do të lidhë të gjithë Evropën Juglindore, e në veçanti Evropën Lindore prej Bullgarisë, Rumanisë, Serbisë dhe deri në Shqipëri, në detin Adriatik. Në vizitën tonë me presidentin Thaçi në Tiranë është theksuar dhe është vlerësuar rëndësia e kësaj pjese të rrugës, për përfundimin sa më të shpejtë të së cilës kemi marrë përkrahje të plotë” theksoi Zharku.
Ministri Zharku falënderoi Bashkimin Evropian për përkrahjen me grantet e tyre për përfundimin e disa projekteve që kemi dhe, natyrisht, dy partnerët kryesorë në financimin e projekteve infrastrukturore, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Investive Evropiane.
Gjithashtu ai tha se BERZH dhe BIE po na ndihmojnë në financimin për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10, Leshak-Hani i Elezit, me një hua prej rreth 40 milionë eurosh.
“Në anën tjetër kemi grantin nga Bashkimi Evropian prej 80 milionë eurosh për përfundimin e rehabilitimit të linjës hekurudhore 10. Përpos kësaj, ju e dini se ne po vazhdojmë procedurat dhe besojmë se deri në fund të vitit të ardhshëm do ta nënshkruajmë marrëveshjen për rrugën Kijevë-Pejë, një rrugë plotësisht e re, me ndihmën e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Investive Evropiane” tha më tutje Zharku.
Kjo rrugë sipas tij do të ketë një ndikim jashtëzakonisht të madh në shkarkimin e komunikacionit nga rruga aktuale, që do të ndikojë në zvogëlimin e numrit të aksidenteve, rritjen e sigurisë dhe kursimin e kohës.
“Ne presim që gjatë vitit të ardhshëm të fillojmë edhe me autostradën Prishtinë-Gjilan, një pjesë të së cilës presim që do ta realizojmë me ndihmën e partnerëve tanë. Më lejoni që të falënderoj ekipin që ka punuar në studimin e fizibilitetit. Jam shumë i kënaqur që studimi i fizibilitetit është pozitiv, me një normë të kthimit që vlerësohet në 16% e që siguron kthim të mjeteve të kësaj rruge dhe të investimeve tona”, tha në fund ministri Zharku.
Ky studimi i fizibilitetit është financuar nga Bashkimi Evropian./Llapi.info