Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka inspektuar punimet në ndërtimin e objektit të Qendrës për Grumbullimin dhe Ruajtjen e Pemëve dhe Perimeve, e cila po ndërtohet në fshatin Sfeçël të Podujevës.

Gjatë kësaj vizite, Veliu u shpreh i kënaqur me rrjedhën e deritanishme të punimeve të objektit që është në fazën finale, thuhet në kumtesën komunale, njofton Llapi.info.

Ai foli për rëndësinë që ka ndërtimi i një qendre të tillë për fermerët, duke pasur parasysh se numri i kultivuesve të pemëve dhe perimeve në Llap është në rritje.
“Ky projekt është i rëndësisë së veçantë për faktin se do të krijojë vende të reja pune dhe do të jetë vendi ku kultivuesit pemëve dhe perimeve të Llapit dhe Gollakut do të mund t’i deponojnë produktet e tyre”, tha Veliu

Veliu tha se ky projekt po realizohet falë bashkëfinancimit të Komunës së Podujevës dhe Komisionit Evropian, ku Komuna merr pjesë me 13 % të mjeteve, kurse vlera totale e projektit është 486 mijë euro.
Menaxheri i këtij projekti, Bedri Sylejmani, e njoftoi Veliun me rrjedhën e punimeve, për të cilat tha se pritet të finalizohen në muajin nëntor.

Ai foli edhe për aktivitetet përcjellëse që parashihen në kuadër të këtij projekti, siç janë:
përgatitja e video dokumentarit për projektin, dizajnimi i web-faqes, furnizimi me kontejnerë për mbeturina, broshura informative bujqësore, katalogje bujqësore dhe organizimi i trajnimeve për kultivimin e pemëve dhe perimeve.

Për kompletimin e punimeve dhe funksionalizmin e të Qendrës për Grumbullimin e Pemëve dhe Perimeve ka mbetur të bëhet edhe vendosja e pajisjeve./Llapi.info

3

5

6