Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa gjatë përurimit të fabrikës për përpunimin e perimeve në Podujevë foli edhe për Ligjin e Trepçës, shkruan Llapi.info.
Sipas tij ky Ligj nuk është ideal mirëpo ai e vlerëson si të shkëlqyeshëm.
“Unë e vlerësoj se është një ligj i shkëlqyeshëm, nuk është ideal sepse asgjë ideale nuk mund të arrihet por është një ligj i cili është arrit në bazë të një pune që është bërë edhe sa i përket studimeve të rastit edhe sa i përket shumë konsultimeve edhe përvojave të tjera në vendet e tjera por në bashkëpunim me menaxhmentin e Trepçës dhe me ekspert të cilët e njohin atë fushë” theksoi Mustafa.
Ndër të tjera, Ligji për Trepçën parasheh rimëkëmbjen e Trepçës përmes modelit të shoqërisë aksionare. Këtë Mustafa e sheh si përvojë të re.
“ Është një përvojë e re e cila është inkuadruar në ligj sidomos tek aksionarët e përbashkët që do të jetë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe punëtorët si aksionar gjë që është hera e parë që ne e aplikojmë këtë formë të organizimit në Kosovë, ndërkaq ka organizime të tilla tek rastet e ngjashme edhe në vendet në tranzicion por edhe në vendet e zhvilluara.”
Përveç kësaj, Mustafa mendon se ky Ligj do të jetë i jetë i pëlqyeshëm dhe i pranueshëm për të gjithë deputetët dhe sipas tij nuk ka arsye që të mos aprovohet në fillim të javës tjetër.
Ndryshe, Projektligji për Trepçën është pikë e veçantë e rendit të ditës në seancën parlamentare që do të mbahet sot nga ora 15:00./Llapi.info