Gazetari i gazetës “Koha Ditore” nga Podujeva, Nexhat Tovërlani të hënën më 17 tetor është bërë fitues i dyfishtë i çmimit për storien për varfëri i ndarë nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke marrë vendin e parë për gazetari të shkruar me storien “Shishe e kanaçe në vend të librave”, shkruan Llapi.info.
Po të njëjtin çmim Tovërlani e ka marrë edhe në vitin 2014, me shkrimin “Fëmijëria e munguar e një njëmbëdhjetë vjeçari”, çmim ky i ndarë poashtu nga UNDP-ja dhe AGK-ja.
Për këtë, Tovërlani ka thënë se ndihet mirë për çmimin por jo edhe për varfërinë që ende është prezente në Kosovë.
“Vërtetë po ndihem mirë që sot më është ndarë çmimi i parë për raportimin për varfëri në mediat e shkruara (çmim që e ndan tash e 11 vjet UNDP-ja dhe AGK-ja). Por, sigurisht se nuk ndihem mirë për shkak që ende ka varfëri në Kosovë. Si pasojë e kësaj gjendje po pësojnë edhe fëmijët, që nuk kanë aspak faj. Fatkeqësisht nxënësit që i përkasin këtyre kategorive shumë më lehtë bëhen objekt tallje nëpër shkolla dhe për pasojë ata shpesh e lënë edhe mësimin. Lutemi që kjo gjendje të mos vazhdojë kështu, por institucionet përgjegjëse të merren më seriozisht me këtë fenomen,” ka thënë Tovërlani.
Përveç këtyre, ai sivjet ka fituar çmimin e tretë me shkrimin “Familjarët punësohen në shkolla pa konkurs” në konkursin me temën “Tregu i Punës dhe Punësimi”, projekt ky i AGK-së i përkrahur nga projekti Enhancing Youth Employment (EYE) i organizatës Zvicerane HELVETAS.
Ndryshe, Tovërlani ka lindur në Podujevë. Shkollën fillore dhe Gjimnazin e Përgjithshëm i ka përfunduar në qytetin e lindjes. Ndërsa në Prishtinë ka përfunduar Shkollën e Lartë të Gazetarisë “Faik Konica” (1999-2001) dhe po ashtu Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës – Dega e Gazetarisë në vitin 2014. Tash është duke i ndjekur studimet master në Fakultetin e Filologjisë- Dega e Gazetarisë në Universitetit Publik të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Me gazetari ka filluar të merret prej vitit 2000, së pari në revistën “Pasqyra” e pastaj në Magazinën e Ilustruar Shqiptare “Zëri” dhe në gazetën e përditshme “Zëri”. Ka punuar edhe në gazetën “Java”, në “Nacional” dhe ka bashkëpunuar me disa gazeta tjera në Kosovë. Ndërsa, prej korrikut të vitit 2008 punon në gazetën “Koha Ditore”. /Llapi.info