Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu u ka shprehur ngushëllime familjes Bajrami për humbjen e jetës së djalit të tyre, Butrint Bajrami.

“Me dhimbje të madhe mora lajmin për humbjen e jetës të Butrint Bajrami, i cili ndërroi jetë në një aksident tragjik komunikacioni”, ka shkruar Veliu në facebook, njofton Llapi.info.

“Në pamundësi që të jem pranë jush, për ta ndarë dhimbjen për këtë humbje të madhe, ngase gjendem në udhëtim zyrtar jashtë vendit, në emrin tim dhe të qytetarëve të Komunës së Podujevës ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta, duke u lutur që shpirti i tij të prehet në paqe.
Me këtë rast shpreh ngushëllimet e mia edhe për Klubin e Hendbollit “LLAPI”, kryesinë e klubit dhe të gjithë bashkëlojtarët e Butrintit, me të cilët ai suksesshëm mbrojti ngjyrat e skuadrës deri në ditën e fundit të jetës.
Të aksidentuarëve të tjerë, të cilët po marrin ndihmën mjeksore, uroj që lëndimet e marra t’i përballojnë dhe shërojnë me sukses dhe sa më shpejt të kthehen në familjet e tyre”, përfundon Veliu.

Butrint Bajrami ka vdekur si pasojë e një aksident trafiku i cili ka ndodhur mbrëmë në magjistralen Podujevë- Prishtinë./Llapi.info