Këshilltari nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Podujevë, Nexhat Llumnica përmes një komunikate për media ka thënë se vota e qytetarit ka shumë vlerë dhe se AAK këtë votë e konsideron si burim kryesor të demokratizimit të jetës politikë në Kosovës, transmeton Llapi.info.

Ju sjellim të plotë këtë komunikatë:

“Derisa partitë politike në pushtet qëllim parësor të veprimtarisë së tyre politike e kanë rujtjen e pushtetit, ato nuk zgjedhin mjete për të arritur deri te ky qëllim. Për t’iu shmangur kontrollit të qytetarit në mënyrë që të sundojnë më lehtë, keto parti politike dhe liderët e tyre përpiqen që sa më tepër ta pasivizojnë politikisht qytetarin, në mënyrë që me anë të premtimeve e manipulimeve dhe trusnive të arrijnë të mbajnë çdo gjë nën kontroll. Këtë mënyrë të pushtetit ne e quajmë dhe e konsiderojmë si burimin kryesor të zvetënimit të demokracisë. Në këtë mënyrë, me jetën e qytetarit luhet në mënyrë të pamëshirshme. Ne konsiderojmë se qytetari i Kosovës duhet të jetë politikisht aktiv dhe kur ta hedhë votën e tij të dijë pse po e hedh. Këtë lloj vote ne e quajmë votë me vlerë dhe e konsiderojmë si burimin kryesor të demokratizimit të jetës politike në Kosovë. Ne përpiqemi për realizimin e qëllimeve të caktuara politike dhe qytetarin e konsiderojmë faktor kryesor për realizimin e interesit të tij, dhe do të përpiqemi për aktivizimin e plotë të qytetarit, qoftë në raport me interesin e tij të përditshëm, qoftë në raport me qëllimet politike dhe shtetrore.”