Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) gjendjen e sigurisë në territorin e Komunës së Podujevës e ka vlerësuar të qetë dhe stabile, njëkohësisht ka analizuar edhe gjendjen e sigurisë edhe nëpër shkolla.
Në mbledhjen e rregullt të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) të Komunës së Podujevës, të kryesuar nga nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, komandanti i Stacionit të Policisë së Kosovës dhe përfaqësuesi KFOR-i kanë raportuar për gjendjen e sigurisë, kurse drejtori i Drejtorisë së Arsimit ka prezantuar informatën për gjendjen e sigurisë në shkolla si dhe është prezantuar informata për procesin e ri-integrimit të personave të riatdhesuar për periudhën janar-shtator 2016.
Lidhur me gjendjen e sigurisë, komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, kapiteni Bekim Bislimi, tha se ajo vazhdon të jetë e qetë dhe stabile. Me këtë rast ai ka potencuar aktivitetet e policisë në identifikimin dhe parandalimin e aktiviteteve të ndryshme kriminale dhe kundërvajtëse.
Komandanti i Policisë ka ngritur si shqetësim rastet e aksidenteve të rënda në rrugën magjistrale dhe rrugët rajonale, me theks të veçantë në rrugën rajonale Podujevë-Shajkoc, në të cilën udhëkryqi i rrugëve për fshatin Sfeçël dhe Balloc është identifikuar si vend ku kanë ndodhur dhe mund të ndodhin aksidente me fatalitet.
Lidhur me këtë çështje në KKSB u tha se meqë kjo rrugë rajonale është në kompetencë të Ministrisë së Infrastrukturës, një ekip ekspertësh duhet të vlerësohet gjendja faktike aty dhe nga kjo ministri të kërkohet të ndërmarr veprime adekuate në mënyrë që të mënjanohet rreziku në atë udhëkryq.
Sipas komandantit të Policisë, një rrezik tjetër permanent për qytetarët, veçmas për fëmijët, paraqet prania gjithnjë e më e madhe e qenve endacakë.
Edhe përfaqësuesi KFOR-i në Podujevë gjendjen e sigurisë e ka vlerësuar të qetë dhe stabile.
Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Avni Maloku, prezantoi një informatë lidhur me sigurinë në shkolla në fillim të këtij viti shkollor. Në raportin e prezantuar drejtori Maloku tha se në aktivitetin e saj kjo drejtori është fokusuar në krijimin e kushteve për siguri në shkolla.
Lidhur me këtë çështje u tha se sfidë për sigurinë në shkolla vazhdojnë të jetë eliminimi i dukurisë së bartjes së mjeteve-armëve të ftohta nga nxënësit, por edhe dukurive të tjera devijonte. Në këtë drejtim drejtori Maloku tha se për eliminimin e dukurive negative brenda objekteve shkollore dhe përreth tyre, Drejtoria e Arsimit do të koordinojë aktivitete e saj me Këshillat drejtues të shkollave, këshillat e prindërve, organet e sigurisë, OJQ-të dhe mekanizma të tjerë.
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Podujevë, Bekim Jashari, ngriti si shqetësim aktivitetin e një OJQ je të huaj në Podujevë, e cila sipas tij mund jetë edhe si një promovuese e radikalizmit dhe ekstremizmit.
Në mbledhjen e sotme të KKSB, zyrtari për Integrime Evropiane, Ylber Salihu prezantoi informatën për ri-integrimin e personave të riatdhesuar për periudhën janar-shtator të këtij viti./Llapi.info