Sot është marr vendimi për themelimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë.
Këtë vendim e ka bërë të ditur sot Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, njofton Llapi.info.
Ai ka shkruar se informacionin për themelimin e Spitalit e ka marrë nga Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani.
Ja postimi i plotë i Veliut:
“Të respektuar qytetarë të Komunës së Podujevës,
Kam kënaqësinë ta ndaj me juve lajmin e mirë, të cilin e mora pak çaste më parë nga Ministri i Shëndetësisë (MSH) z. Imet Rrahmani, i cili bazuar në legjislacionin në fuqi, sot ka marrë vendim për themelimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë.
Për të diskutuar rreth detajeve, organizimit dhe funksionalizimit të Spitalit të Podujevës, javën që vjen do ta mirëpres në takim ministrin Rrahmani. Themelimi i Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë do të krijojë lehtësira për qytetarët tanë, të cilët për t’i marrë shërbimet më të thjeshta mjekësore, deri më tani i janë drejtuar Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) .
Urime! A.V.”