Me 18 vota për, 13 kundër dhe asnjë abstenim është miratuar Raporti Financiar i Komunës së Podujevës për periudhën janar- shtator të vitit 2016.

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi tha se qëllimi i këtij raporti është pasqyra e vërtetë financiare gjatë kësaj periudhe. Sipas tij nga muaji janar deri në muajin shtator janë shpenzuar më shumë se 11 milion e 300 mijë euro.

Kurse të hyrat vetjake komunale sipas Latifit për periudhën janar- shtator 2016 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kanë pasur një rritje prej 41%, shkruan Llapi.info.

Mirëpo me këtë raport nuk është pajtuar shefi i grupit parlamentar të PDK- së Rafet Llapashtica. Ai kërkoi që të dihet se ku kanë shkuar paratë të cilat janë shfrytëzuar për telefona mobil, mirëmbajtjen e veturave komunale si dhe ndërtimin e rrugëve.

Ngjashëm me PDK- në edhe grupi parlamentar i LVV- së nuk është pajtuar me këtë raport. Ata thanë se ka mjaftë shumë mangësi në këtë raport pasi që gjatë kësaj periudhe në total del se buxheti është i shfrytëzuar 63.3% kurse do duhej të ishte shfrytëzuar mbi 75 %.

Ndryshe nga partitë opozitare, grupi parlamentar i LDK- së ka përkrahur këtë raport duke thënë se ai më së miri paraqet të gjitha të hyrat dhe të dalat gjatë kësaj periudhe.

Në këtë mbledhje të Kuvendit Komunal të Podujevës u miratuan edhe dy pika të tjera të rendit të ditës të cilat ishin Propozimi Rregullores për procedurat e themelimit dhe funksionimit të Këshillit të Veprimit Rinor Lokal në Komunën e Podujevës si dhe Propozimi i Statutit të Teatrit të qytetit “Avdush Hasani” në Podujevë./Llapi.info