Në kuadër të muajit të luftës kundër kancerit të gjirit, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Podujevës, në bashkëpunim me Shoqatën e Onkologëve dhe Shoqata “Jeta-Vita”, sot në Podujevë organizoi ligjëratë sensibilizuese kundër kancerit të gjirit, thuhet në faqen zyrtare të Komunës së Podujevës, njofton Llapi.info.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë Dr. Ekrem Hyseni, në cilësinë e ligjëruesit tha se në kuadër të muajit të luftës kundër kancerit të gjirit janë organizuar takime nëpër komuna, të cilat kanë për qëllim që të jemi sa më afër qytetarëve me informacione për rrezikshmërinë, zhvillimin e hershëm dhe procedurat që duhet ndjekur në rast se shfaqet ndonjë problem

Ai ka folur për rëndësinë e diagnostifikimitë të hershëm të kancerit të gjirit dhe format e trajtimit-mjekimit.
“Sivjet kemi 250-270 raste të identifikuara me kancer të gjirit, por ky numër nuk prezanton rritje reale të rasteve, ndonëse kemi shtim të raportimit”, tha ai.

Ligjërata e sotme është ndjekur me interesim nga shumë gra, të cilat në një komunikim interaktiv me mjekët specialistë të onkologjisë kanë shtruar edhe shumë pyetje lidhur me këtë sëmundje.

Vlen të theksohet se me qëllim të diagnostifikimit të hershëm të kancerit të gjirit Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Podujevë është pajisur me Mamograf, i cili shumë shpejt pritet të bëhet funksional./Llapi.info