Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, është takuar sot me komandantin e KFOR-it, gjeneral-major Giovanni Fungo, me të cilin ka biseduar për gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës dhe në vend, njofton kumtesa komunale.
Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe kryesuesi i Kuvendit, Mehmet Gashi dhe Komandanti i Stacionit Policor, kapiteni Bekim Bislimi, Veliu e informoi komandantin e KFOR-it, gjeneral-majorin Fungo për gjendjen e sigurisë, por edhe me aktivitetet dhe investimet e bëra në ndërtimin e infrastrukturës dhe zhvillimit ekonomik të Komunës së Podujevës, transmeton Llapi.info.
“Podujeva është një komunë e qetë me trend të rënies së kriminalitetit në vazhdimësi. Kemi koordinim të shkëlqyeshëm me KFOR-in, Policinë e Kosovës dhe Këshillin e Bashkësisë Islame, kurse gjendjes së mirë të sigurisë i kontribuojnë edhe qytetarët tanë të gjitha komuniteteve ”, tha Veliu.
Sipas kumtesës, Veliu përmendi edhe një fakt tjetër të mirë, duke thënë se deri tash nuk është evidentuar asnjë rast që ndonjë qytetar i Komunës së Podujevës të ketë shkuar në luftëra të huaja, konkretisht në konfliktin e Lindjes së Mesme.
Komandanti i KFOR-it gjeneral-majori Giovanni Fungo, duke falënderuar Veliu për pritjen, tha se kjo vizitë është në kuadër të vizitave që po iu bën komunave.
Gjenerali Fungo u shpreh i kënaqur për informacionet që mori lidhur me gjendjen e përgjithshme në Komunën e Podujevës.
Komandanti i KFOR-it tha se e gëzon fakti që situata e sigurisë është e qetë dhe stabile, duke pasur parasysh faktin se Komuna e Podujevës është ndër komunat kryesore të Kosovës, e cila kufizohet me Republikën e Serbisë.
Kumtesa njofton se gjenerali Fugo gjithashtu e përgëzoi ekzekutivin komunal për punën e mirë dhe bashkëpunimin me KFOR-in dhe organet e sigurisë, duke shprehur edhe gatishmërinë e tij për bashkëpunim.
Pas takimit, Komandanti i KFOR-it, me bashkëpunëtorë dhe Kryetari Veliu bënë një shëtitje në Parkun e Qytetit dhe urën e sapondërtuar mbi lumin Llap./Llapi.info