Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim Alan Brown – përfaqësues i Konzorciumit “Dorsch International Consultants GmbH” dhe “Community Development Initiatives – CDI, me të cilin ka biseduar për realizimin e projektit për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit dhe impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Orllan.

Në takimin Veliut me përfaqësuesin e konzorciumit “Dorsch International Consultants GmbH” dhe “Community Development Initiatives – CDI (DORSH/CDI), Alan Brown, i cili është menaxher i “Programit mbështetës për ujë dhe kanalizim në zonat rurale faza e pestë”, është biseduar për detajet e realizimit të projektit për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit dhe impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në fshatin Orllan,thuhet në kumtesën komunale, njofton Llapi.info.

Përfaqësuesi i Konzorciumit DORSH/CDI, e cila është implementuese e donacioneve të Qeverisë Zvicerane, Alan Brown, e informoi Veliun për projektin ideor për ndërtimin e Impiantit për trajtimin biologjik të ujërave të zeza në Orllan.
Veliu shprehu gatishmërinë që Komuna të ndihmojë në realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për banorët e Orllanit.
“Komuna do të kryejë të gjitha procedurat për të siguruar lokacionin dhe hapësirën e nevojshme për impiantin, në mënyrë që në fillim të vitit 2017 të fillojë realizimi i këtij projekti”, tha Kryetari Veliu.

Me këtë projekt është paraparë që krahas ndërtimit të Impiantit Konzorciumi DORSH/CDI të ndërtojë edhe rrjetin e kanalizimit në Orllan. Ky konzorcium do të hartojë projektin e ndërtimit të impiantit dhe rrjetit të kanalizimit, për realizimin e të cilit ka planifikuar një buxhet prej 500-600 mijë euro.

Me realizimin e këtij projekti ujërat e zeza të fshatit Orllan do të pastrohen deri në masën 90-95 për qind./Llapi.info