Nxënësit e shkollës Fillore “Enver Maloku” në Podujevë i janë rikthyer normalitetit për mbajtjen e mësimit fillorë. Por, nxënësit e Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” kanë mbetur në shtëpi. Që nga kjo e mërkurë deri të hënën e javës së ardhshme këta të fundit nuk do të vijojnë mësimet shkollore, shkruan Llapi.info.

Kjo për shkakun se shkolla e Gjimnazit e cila ishte paraparë që të hapej më 1 nëntor nuk ka filluar punimet as pas 17 ditëve.

E për këtë Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë, Avni Maloku tha se problem është duke paraqitur shpërthimi i një gypi të nxehjes në objektin e ri.

“ Dje kanë qenë prapë ministria dhe për fat jo të mirë shpërthej gypi i nxehjes në objektin e ri. Dhe tash u dashtë që nxënësit me i njoftu që deri të hënën s’ka mësim” tha Maloku për Llapi.info.

Mirëpo largimi i tyre nga objekti i vjetër, dhe vendosja e nxënësve të “Enver Malokut” në ish- objektin e gjimnazit, sipas Malokut është bërë me mendimin se gjithçka është në rregull me objektin e ri.

Sipas tij MASHT- ti e ka bërë procesin e pranimit të objektit të ri por shpërthimi i gypit i ka prishur planet.

“Dje ish bë procesi i pranimit prej ministrie edhe i kisha qu nxënësit sot por ndodhi qajo prishje e nxemjes edhe tash u dashtë me ia bë qishtu. Bile se kom pas njet me i qu nxënësit e Enver Malokut edhe pak hiq se i kom pas këtu dhe i kisha lënë edhe për 2- ditë s ish kon problem por na e morëm vendimin i qum nxënësit atje, dhe ju thamë nxënësve të Gjimnazit se duhet të vini në shkollë të enjten, kur dje në mëngjes thirren se ka shpërthye gypi” tha ai.

Por edhe përkundër kësaj nxënësit e “Enver Malokut” tashmë i janë kthyer normalitetit.

““Enver Maloku” tashmë iu ka kthy normalitetit. Ajo shkollë ka klasë edhe që nuk ju vyjnë hiq aty e kom pas të planifikune me bo edhe ni renovim por tashmë s’kem as kohë as procedura, tashmë janë krejt kushte tjera” tha Maloku.

Nxënësit e “Enver Malokut” ato ditë që i kanë humbur, sipas Malokut do të kompensohen në ditët e pushimit dimërorë e pranverorë si dhe në ndonjë të shtunë.

Me qenë se prindërit nuk kishin lejuar që fëmijët e tyre të vazhdojnë mësimin për shkak të vjetërsisë së objektit shkollor këta nxënës kanë humbur 17 ditë mësimi./Llapi.info