Qendra e Mjekësisë Familjare në Podujevë ka mbetur pa insulinë tash e 5 ditë. Ata që kanë nevojë për këtë terapi janë kthyer mbrapsht në këtë qendër, nga punonjësit me arsyen se nuk ka insulinë.

Lajmi.net ka qenë për 3 ditë rresht dhe ka pyetur a ka ardhur insulina. Përgjigja ka qenë e njëjtë. Jo.

Për furnizimin me Insulinë shteti ka ndarë hiq më pak se 2 milionë e 270 mijë euro.

Në tenderin që është parapa që për dy vite asnjë qendër të mos e ketë këtë problem, janë furnizuar depot e barnave në Ministrinë e Shëndetësisë, Institucionet e nivelit parësor shëndetësor, programet specifike, donacionet dhe Barnatoret Qendrore te Institucioneve Shëndetësore te SHSKUK.

Qi i bie se asnjë institucion nuk duhet të mbetet pa insulinë, ilaç që shërben për të sëmurit nga diabeti.

Ky tender është dhënë në dy lote, dhe është alokuar nga buxheti i farmacisë së QKUK-së.

Mirëpo në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se asnjë qendër spitalore nuk është e pa furnizuar me insulinë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë për lajmi.net se QKMF në Podujevë është furnizuar sipas programit të rregullt me aq sa është kërkuar.

“QKMF e Podujevës është furnizuar në fillim të muajit me insulinë, sipas programit të rregullt të furnizimit nëpër muaj dhe me aq insulina sa i ka kërkuar. MSH nuk ka mungesë të asnjë lloji të insulinës me të cilën furnizohen institucionet. E ka edhe data bazën e të gjithë pacientëve në Kosovë që marrin insulinë dhe për secilin prej tyre, me iniciale, është në gjendje të ju konfirmoj për marrjen e insulinës”, ka thënë Hoti për lajmi.net.

Ai ka thënë se në rast të futjes së ndonjë pacienti të ri për ta trajtuar me insulinë, institucioni përkatës duhet të njoftojë MSH që të futet në data bazë.

“Nëse ndonjë pacient i ri futet në trajtim me insulinë, institucionet përkatëse duhet ta njoftojnë për këtë Ministrinë, që edhe ai të futet na data bazën e pacientëve insulinë vartës. Përndryshe, po ju përsërisim edhe një herë: Departamenti i Farmacisë i MSH-së konfirmon se ka sasi të mjaftueshme të insulinës për të gjitha institucione”, ka thënë Hoti.