Kryetari i degës së AAK-së në Podujevë, Fatmir Humolli ka thënë se Presidenti Hashim Thaçi është një president përqarës i shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni. Këto qendrime ai i ka bërë përmes një postimi në rrjetin social Facebook, transmeton Llapi.info.

Ky është postimi i plotë i Humollit:

“President përqarës i Shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni
Përzierja e Hashim Thaçit te shqiptarët e Maqedonisë në kohë të fushatës parazgjedhore dhe dekorimi i dhjetëra njerëzve, në mesin e të cilëve edhe të disave njerëzve që kurrë nuk e kanë ndihmuar me asgjë Kosovën, është abuzimi më i madh i institucionit të Presidentit të Kosovës, që e ka bërë dikush.
Nëse Hashim Thaçi merr anë në fushatën zgjedhore, kjo përveç që përbën skandal shtetëror, është edhe futje e përçarjes për shqiptarët atje.
Duke e gjykuar këtë si dëmtim të interesave shqiptare në Maqedoni, pres që ai ditëve në vijim t’i takojë të gjitha partitë shqiptare në Maqedoni dhe t’u kërkojë falje për këtë ndërhyrje. Në të kundërtën, ai mbetet simboli i turpit dhe përçarjes për shqiptarët e Maqedonisë.”