Në Komunën e Podujevës edhe sivjet kanë vazhduar punësimet e mësimdhënësve pa konkurs. Përkundër faktit që Komuna përveç konkursit të parë, ka shpallur edhe konkurs plotësues për vendet e lira për mësimdhënës, prapë ka mësimdhënës që janë punësuar pa konkurruar në këto konkurse. Madje sipas një burimi të portalit Llapi.info, ka mësimdhënës që nuk janë as të kualifikuar për pozitat përkatëse, shkruan Llapi.info.
Mësimdhënës të tillë sipas këtij burimi ka në Shkollën Fillore “Drita” në Majac, përkatësisht në paralelen e ndarë të kësaj shkolle në Lupç të Epërm. Ky burim thotë se kjo traditë e punësimeve është vazhdimësi e viteve të kaluara dhe se këto punësime po i bën Drejtori i kësaj Shkolle, Ahmet Gashi së bashku me Drejtorin e Arsimit në Komunën së Podujevës, Avni Maloku.
Në konkursin e parë të shpallur nga Komuna e Podujevës për pranimin e mësimdhënësve për vitin shkollor 2016/2017, për këtë shkollë janë shpallur 3 vende të lira për mësimdhënës në paralelet e ndara të kësaj shkolle. Ndërsa, në konkursin plotësues nuk ka asnjë vend të lirë për mësimdhënës në këtë shkollë.
“3. Shkolla fillore dhe e mesme e ulët “Drita”, Majac
• Një (1) mësimdhënës për arsimin fillor, me klasë të kombinuara
• Dy (2) mësimdhënës për arsimin fillor në paralelen e ndarë në Popovë”, thuhet në konkursin e parë.
Konkursin e parë të plotë mund ta shihni Këtu, ndërsa konkursin plotësues Këtu.
Siç edhe shihet në konkursin e parë nuk ceket se në cilën paralele ka vend të lirë për mësimdhënës. Sipas
Drejtorit të DKA-së në Podujevë, Avni Maloku, ky konkurs është përpiluar në bazë të listave që drejtorët e shkollave përkatëse i kanë dorëzuar kësaj drejtorie.
“Çdo drejtor në qershor e dorëzon konkursin çka i ka vendet e lira edhe qato na i marim edhe i shpallim vendet e punës”, tha Maloku për Llapi.info.
Mirëpo, drejtori i kësaj shkolle, Ahmet Gashi, thotë se ky konkurs ka pasur gabime teknike.
“Është shpall konkursi për të gjitha orët që kanë qenë të pambuluara, që do të thotë për dy mësimdhënës në Popovë dhe një në Lupç të Epërm, e në konkurs ka pas gabim teknik (nuk është cek fshati Lupç i Epërm). Me këtë konkurs janë pranuar mësimdhënës të kualifikuar për pozitat përkatëse”, tha Gashi për Llapi.info.
Për pozitën në fjalë,me këtë konkurs është pranuar mësimdhënësja Elfeti Hoti- Krasniqi mirëpo,sipas drejtorit të DKA-së në Podujevë ajo pas pranimit në vendin e punës, për disa arsye nuk ka pranuar që të punoj në këtë shkollë dhe ka kërkuar që të transferohet në shkollën “Rilindja” në Herticë.Pas largimit me vetë dëshirë nga kjo pozitë e punës, vendin e kësaj mësueseje e ka zënë mësimdhënësi paraprak Enver Azemi pa rishpallje të konkursit.
E sipas burimit të Llapi.info, kjo është bërë me qëllim të ruajtjes së vendit të punës mësimdhënësit Azemi.
“Mësuesi Enver Azemi ka të përfunduar shkollën e lartë të makinerisë dhe ka rreth 23 vite që ka punuar si mësues klase në këtë shkollë. E me makineri nuk ka qysh me punu ma si mësues klase kështu që, e kanë planifikuar që me konkurs të pranohet dikush tjetër mas anej me ju lshu venin mësuesit që ka qenë ma heret”, ka shtuar më tutje ky burim.
Se mësimdhënësi Azemi është kthyer në pozitën paraprake e ka pohuar edhe drejtori i shkollës, Ahmet Gashi.
“Mësuesja që është pranu në këtë konkurs nuk ka ardh me punu këtu edhe nxënësit janë metë pa mësues 2 ose 3 javë, mësimin e kanë mbajt në bashkëpunim me mësuesit tjerë të shkollës. Për këtë shkak është dashtë me u kthy mësuesi që ka qenë”, tha ndër të tjera Gashi.
Përpos Azemit, në këtë shkollë sipas burimit të Llapi.info punojnë edhe mësimdhënës të tjerë të pa kualifikuar. Sipas tij fjala është për këta mësimdhënës: Sejdi Kamberi, Jusuf Krasniqi, Gani Musliu dhe Fetah Gashi.
Mirëpo drejtori i DKA-së në Podujevë i arsyeton këto punësime.
Sejdi Kamberi ka përfunduar shkollën e lartë të makinerisë punon si arsimtar i matematikës në këtë shkollë. Sipas Malokut, ky mësimdhënës ka të përfunduar shkollën e lartë të pedagogjisë dhe për shkak të moshës nuk obligohet të ri-kualifikohet.
Jusuf Krasniqi ka përfunduar shkollën e lartë teknike (arsim teknik) punon si arsimtar i teknologjisë. Edhe ai vazhdon punën në këtë shkollë për shkak se nuk obligohet të ri-kualifikohet, e që sipas Malokut është i kualifikuar për pozitën që mbanë dhe se ka një normë vetëm prej 10 orësh.
Gani Musliu, sipas të njëjtit burim, ka përfunduar fakultetin e gjuhës shqipe dhe punon si mësues klase në këtë shkollë.
Fetah Gashi ka përfunduar fakultetin e Edukatës Fizike ndërsa, sipas burimit të Llapi.info ai në këtë shkollë mbanë orët e Biologjisë, Artit Figurativ dhe Lëndë Zgjedhore. Mirëpo, drejtori i DKA-së, Maloku, thotë se kjo nuk është e vërteta, pasi që sipas tij, ky mësimdhënës i ka orët e edukatës fizike në Shkollën e Mesme të Lartë “Isa Boletini” në Podujevë, dhe se për të ardhur deri te kontrata, në emër të mësimit zgjedhorë i janë dhënë 4 orë në shkollën “Drita”për t’ju bërë një normë prej 10 orësh. Kurse, për orët e lëndës së Artit Figurativ, Maloku thotë se mësimdhënës në fjalë po i mbanë si zëvendësim.
Edhe Drejtori i shkollës, Ahmet Gashi, ka pohuar se Fetah Gashi për momentin i ka 8 orë të artit figurativ për të zëvendësuar arsimtaren e kësaj lënde e cila për momentin është në pushim të lehonisë.
Llapi.info edhe vitin e kaluar ka shkruar për punësime pa konkurs që janë bërë në këtë shkollë. Shkrimin e vitit të kaluar mund ta lexoni Këtu./Llapi.info