Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës- Dega në Podujevë ka planifikuar që fshatrat e kësaj Komune të cilat gjenden në vijën kufitare me Serbinë t’i subvencionoi në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë.

Përmes një komunikate për medie, këshilltari i AAK- së në Podujevë, Nexhat Llumnica tha se ne i kemi vizituar këto vende rurale pasi që qeverisja komunale dhe ajo qendrore i kanë lënë anash këto fshatra dhe se në këtë mënyrë këto qeveri janë duke ndikuar që këto vende të boshatisen, njofton Llapi.info.

“Gjatë vizitave të fundit të fshatrave të malësisë së Llapit sidomos ato fshatra përgjatë vijës kufitare me Serbinë ,përveç infrastrukturës së dobët neper këto fshatra kemi vërejtur edhe shumë mangësi nga Qeverisja komunale dhe ajo qendrore që nuk kanë bërë asgjë që ata banorë të stimulohen në mënyrë që mos të boshatisen vazhdimisht dhe ti lenë pasuritë e tyre të mrekullueshme” tha ai.

Ndërsa, sa u përket subvencioneve të ndara nga Komuna, AAK thotë se edhe ato që janë, po i marrin zyrtarët komunal për të afërmit e tyre dhe kështu edhe po e varfërojnë qytetarin.

“Subvencionet për bujqësinë dhe blegtori edhe pse janë të pakta i marrin zyrtarët komunalë dhe të afërmit e tyre. Kjo Qeverisje komunale vazhdimisht në ketë mënyrë po e varfëron qytetarin”, tha Llumnica duke theksuar se kjo parti ka planifikuar që këto fshatra të subvencionohen katër fish më shumë sesa që janë tani.

Sipas tij subvencionet do të përfshijnë tri fusha të ndryshme të degës së bujqësisë dhe të blegtorisë.

“1. Pasurimi më lopë e racës së përshtatshme për malësinë e Llapit si dhe subvencione për ato ekzistuese.
2. Financimi në ngritjen e fermave të dhive dhe të dhenve,numri i të cilave për momentin është shumë i vogël.
3. Rritja e investimeve për bletarinë. Këtij sektori do ti japim një rëndësi të veçantë sepse ofron të hyra të larta. Hapje të pikave grumbulluese dhe përpunuese të mjaltit”, thuhet më tej në këtë komunikatë duke përfunduar se kjo do të ndikoj në atë që këta banorë të vetëpunësohen dhe të mos ndihen të harruar, por të jenë krenarë me vendin e tyre./Llapi.info