Vërshimet të cilat përshinë disa pjesë të qytetit të Podujevës më 8 dhe 9 tetor të këtij viti, kanë shkaktuar dëme materiale me vlerë prej 195 mijë e 402 euro.
Dëmet më të mëdha nga këto vërshime sipas Shefit të Drejtorisë për Shërbime Publike, Rasim Fejza kanë qenë në ekonomitë familjare, me vlerë prej 120 mijë e 269 euro..
Ai për Llapi.info tha se, këto vërshime përveç ekonomive familjare kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në Bujqësi e infrastrukturë rrugore.
“Tri fushat të cilat janë prekur më së shumti nga këto vërshime janë, infrastruktura rrugore 9 mijë e790 euro, në Bujqësi janë 65 mijë e 373 euro ndërsa në ekonomi familjare janë 120 mijë e 269 euro. Gjithsej dëme të përgjithshme të shkaktuara nga vërshimet e ujit janë në vleftë financiare prej 195 mije e 402 euro” tha Fejza.
Sipas tij vendet të cilat kanë qenë më së shumti të prekura nga këto vërshime kanë qenë kryesisht fshatrat afër lumit Llap.
“Vendet të cilat kanë qenë më shumë të përmbytura janë kryesisht fshatrat të cilat janë të shtrira afër lumit Llap, duke filluar prej fshatit Repë, Metehi e deri në fshatin Lupç. Ndërsa në ekonomi familjare më të prekurat janë ato ku u kanë hyrë edhe përroska nëpër podrume të shtëpive” tha ai
Ndërsa, dëmi më i madh në ekonomi familjare sipas këtij raporti ka qenë lagjja e Bebushëve.
“ Dëmi më i madh nga lumi Llap që është bërë është në hyrje tek hotel Besiana tek Lagjja e Bebushëve” tha Fejza.
Mirëpo, sipas Fejzës dëmet e shkaktuara nga këto fatkeqësi nuk do të kompensohen.
“Dihet që Podujeva nuk ka buxhet, sepse buxheti është shpërndarë më parë se çka planifikohet. Nuk e di nëse Qeveria ka ndonjë mjet për kompensim, por ne presim diçka” shtoi ai.
Komuna e Podujevës dëmet e shkaktuara nga vërshimet natyrore nuk i ka kompensuar as në vitet paraprake./Llapi.info