Në fshatin Sfeçël të Podujevës sot është përuruar Qendra për grumbullimin ruajtjen dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve, projekt ky i realizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Komuna e Podujevës.
Në ceremoninë solemne, të organizuar me rastin e përurimit të Qendrës për grumbullimin ruajtjen dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve, morën pjesë Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi dhe përfaqësuesja i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Sirje Poder dhe mysfirë të shumtë dhe fermerë llapjanë, thuhet në komunikatën komunale, njofton Llapi.infno.
Në fjalën e tij me këtë rast kryetari i Komunës, Agim Veliu tha se po përurojmë një projekt të rëndësishëm në interes të fermerëve llapjanë dhe zhvillimit ekonomik të Komunës sonë.
“Falë bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, respektivisht Zyrën e BE-së në Kosovë, komuna jonë përfitoi donacionin e themelimit të qendrës për grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve në Llap dhe Gollak. Në kuadër të këtij projekti, në të cilin edhe Komuna e Podujevës është bashkëfinancuese, është ndërtuar kjo qendër në të cilën do të grumbullohen, ruhen dhe përpunohen pemët dhe perimet”, tha Veliu.
Ai tha se krahas rritjes së sipërfaqeve të reja me kultura bujqësore, të përkrahura nga subvencionet e Komunës dhe Qeveria, me projektet si ky, për fermerët llapjanë po krijojmë kushte për ruajtjen dhe përpunimin e produktet bujqësore.
“Ngritja e çdo pike grumbulluese dhe përpunuese do të thotë rritje e sipërfaqeve të reja me kultura bujqësore të cilat gjenerojnë vende pune”, tha kryetari Veliu, duke folur për projektin implementimin e të cilit e ka bërë Komuna e Podujevës, kurse ndihmë ka dhënë edhe shoqata e fermerëve “Shpresa e Llapit”.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se ndjehet i nderuar që sot po merr pjesë në përurimin e kësaj qendre, duke thënë se Podujeva tashmë ka marrë primatin dhe po bëhet model edhe për komunat e tjera për kultivimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore.
“Ky projekt është në funksion edhe të misionit fisnik të krijimit të vendeve të punës, por edhe të gjenerimit të ardhurave edhe nga fermerët llapjanë. Kjo qendër do të jetë qendër referente edhe për komunat e tjera”, tha ministri Abrashi, duke përgëzuar Komunën e Podujevës për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm në partneritet me Bashkimin Evropian.
Ndërsa, Vezir Januzi – zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, duke uruar fermerët llapjanë tha se kjo qendër grumbulluese është në kuadër të projekteve të shumta që po realizon Komuna e Podujevës në kuadër të investimeve për zhvillimin dhe avancimin e sektorit agrural.
“Inkurajoj fermerët llapjanë që të merren me veprimtari bujqësore dhe agroushqimore. Ndërsa ne zotohemi se do të angazhohemi më shumë për krijimin e një ambienti të përshtatshëm konkurrues dhe favorizues të bërit agrobiznes dhe krijimin e kushteve për grumbullimin, ruajtjen, përpunimin dhe plasmanin e produkteve”, tha Januzi.
Përfaqësuesja e Zyrës se Bashkimit Evropian në Kosovgë, Sirje Poder, përgëzoi fermerët llapjanë për objektin ku do të mund të grumbullojnë, ruajnë dhe përpunojnë produktet bujqësore. Ajo tha se Zyra e Bashkimit Evropian ka përkrahur dhe do të vazhdojë të përkrah projekte të ndryshme zhvillimore në sektorë të ndryshëm.
Objekti i Qendrës për grumbullimin ruajtjen dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve ka një sipërfaqe prej 460 m² , kurse kapacitetet e ruajtjes dhe përpunimit të kësaj qendre janë: rreth 700m³ produkte në frigodhoma, kurse rreth 300kg produkte mund të përpunohen brenda ditës./Llapi.info