Dega e Partisë Fjala në Podujevë sot ka mbajtur Kuvendin e parë Zgjedhor, ku ka zgjedhur kryetarin dhe kryesinë e saj të përbërë nga 25 anëtarë. Në këtë Kuvend, me votat e delegatëve, Xhevdet Maloku është zgjedh kryetar i Partisë Fjala, Dega në Podujevë.
Kryetari i sapozgjedhur i degës së Partisë Fjala në Podujevë i cili është magjistër i ekonomisë, Xhevdet Maloku ka falënderuar delegatët për besimin që ai të udhëheqë Degën e Partisë FJALA në Podujevë.
Maloku iu është drejtuar me lutje Zotit që të bëhet prijës që punon në të mirë të popullit.
“Prej meje tani nuk kërkohet shumë me fol, por njëheritë e lus Zotin të më bëjë një prej prijësve të cilët punojnë vetëm për interesat e popullit. Llapi dhe llapjanët gjithmonë kanë qenë figura kyçe mu atëherë kur Kosovës i është nevojitur më së shumti, por që fatkeqësisht viteve të fundit u është prangosur dëshira dhe mundësia për të dhënë kontribut si për qytetin e Podujevës, ashtu edhe për tërë Kosovën”, tha ai.
Kryetari i Partisë FJALA Gëzim Kelmendi në fjalimin e tij para delegatëve të Kuvendit Zgjedhor ka uruar zgjedhjen e Kryetarit të Degës së Partisë FJALA në Podujevë,i cili tha se mbështetja e qytetarëve në Podujevë, është mesazh i qartë se Partia FJALA, është në rrugë të mirë drejtë realizimit të programit të saj, për zhvillim ekonomik dhe sundim të drejtësisë në kuptim të plotë të fjalës.
Kelmendi ka përmendur heroin Zahir Pajaziti për të cilin tha se është shembull për ta.
“Lufta dhe sakrifica e dëshmorëve në krye me Zahir Pajazitin, është shëmbëlltyrë dhe motiv për neve. Por, sot fatkeqësisht lirinë e fituar me gjakun e dëshmorëve nuk po e gëzojnë qytetarët e llapit. Qytetarët e Llapit kanë dhënë shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Qytetarët e llapit meritojnë më shumë dhe më mire”, tha ai
Pas zgjedhjes së kryetarit të degës së Partisë Fjala në Podujevë, u votua edhe lista me 25 anëtar të kryesisë listë kjo e përbërë nga personalitete të ndryshme nga lëmia e drejtësisë, ekonomisë, mjekësisë dhe afarist nga qyteti i Podujevës.