Lëvizja Vetëvendosje- dega në Podujevë nuk do të marrë pjesë në koktejin e fundvitit të organizuar nga Komuna e Podujevës, njofton Llapi.info

Përfaqësuesi i këshilltarëve komunal të VV- së Haki Rudari përmes një prononcimi për Llapi.info tha se VV-ja e kundërshton këtë koktej ngase ky është një keqpërdorim i parasë publike.

“Grupi i këshilltarëve të LVV-së kundërshton këtë nga se mendojmë se është një keqpërdorim i parasë publike, para e mbledhur nga taksat e qytetarëve” tha Rudari.

Sipas tij, organizime të tilla janë të papranueshme për VV- në dhe se duhen ndalohen një herë e përgjithmonë pasi që përmes këtyre parave, qytetarë të këtij vendi do të mund të përfitonin në sektorë të ndryshëm.

“Ne kemi bërë vazhdimisht kërkesa për t’iu ndihmuar qytetarëve në shumë sektorë: arsim, shëndetësi, bujqësi , mbrojtje të ambientit, trotuare për lëvizje të lirë të nxënësve, ndihma për lehona, transport i nxënësve ku largësia është e madhe,mirëmbajtje të varrezave dhe shumë ndihma të tjera dhe gjithherë arsyetimi nga ekzekutivi ka qenë se nuk ka mjete buxhetore. Duke e parë gjendjen e rëndë të qytetarëve e në anën tjetër të organizohet koktej për ne është e papranueshme dhe kërkojmë që praktika të tilla të ndalohen një herë e përgjithmonë” përfundoi Rudari.

Ftesa për koktej rasti për fundvit është bërë sot në mbledhjen e 36-të të Kuvendit Komunal të Podujevës, nga kryesuesi i kuvendit Mehmet Gashi./Llapi.info