Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë , njëherësh edhe kryetar i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka organizuar takimin e fundvitit me strukturat e LDK-së në Podujevë.

Në takim morën pjesë të gjitha strukturat, përfshirë kryesinë e degës, kryetarët e nëndegëve, kryesinë e Forumit të Rinisë dhe Forumit të Gruas.

Në fjalën e tij, Veliu falënderoi udhëheqësit dhe përfaqësuesit e strukturave të LDK-së në Podujevë për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në favor të funksionimit të LDK-së në të gjitha nivelet, thuhet në komunikatën Komisionit për Informim të LDK-së në Podujevë, transmeton Llapi.info.

Veliu tha se po përmbyllet një vit i suksesshëm për LDK-në në Podujevë dhe për komunën, e cila udhëhiqet nga ky subjekt politik, duke thënë se janë realizuar pothuaj të gjitha projektet e planifikuara për sivjet.

Ai porositi përfaqësuesit e strukturave të LDK-së që ta rrisin dhe ta fuqizojnë aktivitetin e tyre në terren, duke pasur parasysh, se viti në të cilin po hyjmë është edhe vit zgjedhor.
“LDK, si gjithmonë në garën zgjedhore hyn me synime të qarta, që është edhe një fitore e radhës, e cila do të arrihen falë punës dhe angazhimit tuaj të vazhdueshëm dhe punës sonë të suksesshme në qeverisjen lokale”, tha Veliu.

Duke iu referuar fushatës së hershme, të cilën e kanë filluar disa subjekte politike në Podujevë, Veliu tha se ajo nuk përbën shqetësim për LDK-në.

Veliu tha se “shqetësuese për ne është qasja joparimore e disa individëve të subjektit tonë, të cilët me veprimet e tyre po u bëjnë favore subjekteve rivale të LDK-së”.

I pari i LDK-së në Podujevë foli edhe për fushatën e LDK-së, të cilën tha se do ta bëjnë projektet e realizuara, e të cilat prekin çdo segment të jetës së qytetarit.

Në fund, ai uroi anëtarët e strukturave të LDK-së, familjet e tyre dhe të gjithë qytetarët e Podujevës për mbarësi, shëndet të mire dhe begati familjare në Vitin e Ri 2017!
Komisioni për Informim i LDK-së në Podujevë./Llapi.info