Nga 195 mijë e 402 euro dëme materiale nga vërshimet e ujit që u bënë këtë vit në Podujevë, Qeveria e Kosovës përmes Komunës së Podujevës ka kompensuar vetëm 48 mijë e 850 euro apo 25 %  të këtyre dëmeve.

Këtë e ka bërë të ditur Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu sot në një konferencë për medie ku tha se 14 mijë e 240 euro u janë dorëzuar të dëmtuarve ndërsa, pjesa  tjetër e kompensimeve do të bëhet në vitin e ardhshëm, shkruan Llapi.info.

“Ne e kemi bërë kërkesën në qeveri, ne i kemi bërë raportet në komisionet tona për dëmet e shkaktuara gjatë vërshimeve në këto raste. Pjesa e parë e dëmeve në bazë të vendimit të qeverisë, qeveria e ka marrë obligim që ti kompensoi 25 për qind të dëmeve. Ne para disa ditësh, atë pjesë të parë të dëmeve në raporte në vlerësime, e kemi shpërndarë sepse qeveria i ka qit mjetet, ne i kemi shpërnda te ata që janë dëmtuar, ndërsa vitin e ardhshëm 14 mijë e 240 euro pjesa e parë ndërsa vlera e dëmeve është 119 mijë euro” tha Veliu

Mirëpo, në raportin e dhënë nga Shefi i Drejtorisë për Shërbime Publike, Rasim Fejza për Llapi.info dëmet e shkaktuara nga vërshimet e ujit kanë qenë 195 mijë e 402 euro dhe jo 119 mijë sa tha Veliu në këtë konferencë.

LEXO: Rreth 196 mijë euro dëme nga vërshimet në Podujevë, Komuna nuk i kompenson ato

E sipas Veliut gjithë këto dëme janë duke u bërë nga faji i qytetarëve.

“Dëmet po shkaktohen 90 % për fajin tonë sepse i kemi ngushtuar shtretërit e lumenjve, disa janë mbyllë krejt, kështu që po, ato po na shkaktohen edhe me fajin tonë po sido që të jetë Komuna e Podujevës dhe asnjë komunë nuk ka fond për kompensimin e dëmeve” th ai.

Ai gjithashtu propozoi qytetarët se për të siguruar pronën e tyre nga këto vërshime mund të shfrytëzojnë kompanitë private për një gjë të tillë.
“Tash janë mundësitë që secili ta siguroi pronën e vet janë kompanitë e ndryshme që e sigurojnë pronën. Këtë duhet ta kenë parasysh qytetarët” përfundoi ai.

Komuna e Podujevës më 8 dhe 9 tetor të këtij viti ishte përfshirë nga vërshimet ku dëmet sipas raportit komunal kanë qenë 195 mijë e 402 euro.