Çmimi për një kg mjedër këtë vit për kultivuesit e tyre nuk ka qenë i kënaqshëm për dallim nga viti i kaluar. Për këtë fakt bujqit llapjanë shpesh janë ankuar. Por pavarësisht ankesave të tyre, ata nuk kanë mund të ndryshojnë asgjë pasi që sipas kreut të komunës së Podujevës, këtë e cakton ekonomia, shkruan Llapi.info.

Por, Veliu tha se janë ndërmarrë masa për të shikuar nëse ka marrëveshje të fshehtë mes blerësve për të caktuar një çmim më të lirë të mjedrës, rezultate të cilat kanë treguar se nuk ka marrëveshje të tillë.

“Unë e kam bërë një kërkesë edhe në autoritetin e konkurrencës që ta hulumtoi tregun dhe shkaqet pse ka ardh deri tek rënia e çmimit dhe të angazhohemi në një pikë. Ata janë angazhuar në pikat kufitare ku i kanë marrë gjithë dokumentacionit të lëvizjes të këtij produkti me çmimet që janë faturuar dhe kanë  ardhë me një raport përfundimtar se nuk ka ndonjë marrëveshje ndërmjet grumbulluesve dhe blerësve për ndonjë ulje artificiale.”, tha Veliu

Autoritetet e konkurrencës sipas Veliut kanë sqaruar se çmimi i mjedrës i luhatshëm varësisht nga cilësia e saj.

“Autoritetet e konkurrencës na kanë sqaruar që mjedra si disa produkte tjera e ka njëfarë çmimi të berzës, çmimi i saj është një lloj berze që një ditë shkon një ditë vjen varësisht prej cilësisë. Janë çështje që i rregullon ekonomia”, tha Veliu

Një kilogram mjedër këtë vit ishte shitur nga 0.80 cent deri në 1.20 cent për dallim nga viti i kaluar kur ishte shitur deri në 1.80 cent për kilogram.