Traktori është mjeti me të cilin një baba dërgon të birin e tij rreth 7 kilometra në një drejtim tek doktori edhe në temperatura më të ulëta se 10 gradë celsius. Të dy jetojnë të vetëm dhe e gjithë ajo çfarë kanë është një dhomë me një shtrat e një stufë të vjetër.

Ilaz Abdullahut nga fshati Merdarë i Podujevës, përveç që i duhet të kujdeset për mbijetesë, atij i duhet të kujdeset edhe për të birin e tij invalid, Fatmirin 28 vjeç, pasi që gruaja i ka vdekur tashmë e 8 vite, shkruan Llapi.info.

“E ka parapa Perëndia qiso fare” ishin fjalët më të shpeshta të Ilazit, fjalë me të cilat ngushëllonte veten e tij e që dhimbja i vërehej në fytyrë sa herë shikonte të birin e ulur në kolltuk i cili ngrohej pranë stufës.

“Ky për asnjë punë për vete nuk është, as nuk mundet me ecë, as nuk mundet me honger bukë as kurgjo. Qitu ja ndezi ni koftor, me ta qitu gjithë ditën e lume” tha Ilazi i cili shtoi se s’ka mundësi as të shkojë në Komunë për të kërkuar ndihmë, pasi që nuk mund ta lërë djalin vetëm.

E kushtet jo të mira, kanë bërë që Ilazi të ndjejë dhimbje për të birin pasi që ai nuk po mund t’ia plotësoj disa dëshira atij.

“Mu pom dhimbet që nuk po janë disa kushte me ia plotsu disa dëshira të tij sa jam vetë gjallë, se ky ka qejf me dalë e ka qejf me pa po çka me bo. Ky nuk është për punë të veta. Vetë m’duhet me ia krye krejt puntë. Pom kuptoni në lidhje me çka e kam fjalën. Po e ka parapa Perëndia qiso fare” tha ai me sytë e mbushur lot.

Për Ilazin shuma të cilën e merr si ndihmë sociale nuk është e mjaftueshme. E për ata që e ndihmojnë atë, e gjithë ajo që ka mundësi ai për të bërë, është tu falënderohet atyre dhe t’i lutet Zotit për ta.

“Shumë faleminderit prej atyre që na ndihmojnë. Po kush e ka zemrën e mirë e menon për këta njerëz, Zoti u ndihmoftë edhe atyre” shtoi ai.

Fatmiri ka edhe dy vëllezër të tjerë por që nuk jetojnë në të njëjtën dhomë ku jeton ai së bashku me babain e tij.

“Nuk është kollaj” ishin fjalët e fundit të Abdullahut./Llapi.info

SAMSUNG CSC

SAMSUNG CSC

SAMSUNG CSC

SAMSUNG CSC