Banorët e fshatit Revuqë të Komunës së Podujevës dhe ata të fshatit Sibofc të Poshtëm janë bllokuar nga bora e shumtë që ka rënë në 24 orët e fundit, njofton Llapi.info.
Sipas banorëve rrugët të cilat lidhin këto fshatra me ato kryesore janë krejtësisht të bllokuara.
Një banore e fshatit Revuqë K. H. ka thënë për Llapi.info se rruga e cila lidhë këtë fshat me rrugët kryesore është krejtësisht e bllokuar. Sipas saj Komuna është duke i lënë të ngujuar nga bora banorët e këtij fshati.
“Ballafaqimi i parë me dimrin sivjet banorëve të fshatit Revuqë ua ka sjellë kujtimet e përvitshme të mosmirëmbajtjes së rrugës së fshatit dhe mbylljes se saj nga ortekët e borës. Shpresoj që askush të mos ketë nevojë urgjente të dal sepse nuk do të kenë mundësi. Kjo më së miri tregon se në çfarë gjendje mbesin qytetarë kur mbesin ne mëshirën e pushtetit lokal i cili nuk lëshon pothuajse asnjë dokument pa e kushtëzuar me pagesën e tatimit nga po këta qytetarë që i lë të ngujuar”, tha ajo.
Përveç, kësaj edhe banorët e fshatit Sibofc të Poshtëm kanë të njëjtat probleme. Sipas tyre po të ketë ndonjë të sëmurë, dërgimi i tyre në spital është i pa mundur.
Më poshtë mund të shihni edhe fotografitë të cilat tregojnë gjendjen e këtyre rrugëve./Llapi.info