Një punëtor i moshës 49 vjeçare, ka humbur jetën sot në Fabrikën e Përpunimit të Perimeve dhe Pemëve “Jaha Company”, në qytetin e Podujevës.

“Sot rreth orës 9:45, stacionit i Policisë së Kosovës, në regjionin e Podujevës, është njoftuar për një rast në rrugën ‘Zahir Pajaziti’, saktësisht në ‘Jaha Company’. Së bashku me emergjencën kanë mbërri në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur një njeri mashkull, rreth 49 vjet, i cili ka qenë pa ndjenja. Me këtë rast, mjeku i emergjencës e ka informuar për vdekjen e tij”, tha Antigona Çitaku, Shefja e Operativës në stacioni e Policisë në Podujevë, raporton KP.

Në vend të ngjarjes kanë dal policia, inspektoret e punës dhe prokurori. Me urdhër të prokurorit është hap rasti si vdekje e dyshuar dhe trupi i viktimës është dërguar në mjekësinë ligjore për obduksion.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes i kanë thënë portalit Koha.net se viktima ka ndërruar jetë si pasojë e shkeljes nga traktori, që raportohet të ketë qenë aksidental.