Ekrem Ajvazi, 52 vjeç, punëtorë teknik i operatorit “Vala” ka ndërruar jetë në pasditen e sotme në fshatin Herticë të Komunës së Podujevës pasi ai nuk ka mundur të marrë mjekimin e duhur.

E gjithë kjo për shkak të borës së madhe që gjendet në atë pjesë.

Përkundër faktit se është lajmëruar emergjenca, mjekët nuk ka mundur të shkojnë në vendin e ngjarjes me kohë për shkak se në ato rrugë nuk është e mundur të kalohet me veturë.

Mjeku kujdestar në emergjencën e Podujevës ka konfirmuar këtë rast për Indeksonline, duke thënë se ka qenë e pamundur të shkohet me veturë në atë vend. Ai ka treguar se i është dashur të ecë në këmbë për dy orë në borë të madhe vetëm për të arritur në vendin e ngjarjes.

Sipas tij, ky rast ka qenë për të shkuar me helikopter.

“Ai ka vdekur në vendin e ngjarjes. Unë kam ecë dy orë në borë deri në bel, vetëm me shku në vendin e ngjarjes. Një qytetar na ka lajmëruar dhe ne së bashku me Policinë e Kosovës kemi shkuar në vendin e ngjarës, por është dashur ta lëmë veturën shumë larg për shkak se nuk dilte vetura prej borës, dhe kemi ecë 2 km e gjysë nëpër borë e nëpër mal. Ai rast ka qenë për të shkuar me helikopter”, ka thënë mjeku kujdestar.
Ai gjithashtu bëri të ditur se ende nuk dihen shkaqet e vdekjes së këtij personi dhe me këtë rast janë duke u marrë obduksioni.

Kryetari i Podujevës Agim Veliu të premten për medie tha se kjo gjendje e rrugëve në këtë komunë është normale dhe se po punohet për të pastruar rrugët.

Por, sot u vërtetua se një gjë e tillë nuk është e vërtet, pasi Policia e Kosovës dhe Emergjenca e Podujevës e patën të pamundur të kalojnë në rrugët e këtij fshati, me ç’rast edhe ka ndërruar jetë ky person.

Llapi.info këto ditë vazhdimisht ka shkruar për gjendjen e rrugëve në këtë Komunë, ku një numër i madh i banorëve kanë mbetur të bllokuar nga bora e që sipas tyre askush nuk u ka dalë në ndihmë për pastrimin e rrugëve.

Ditë më parë kryetari i Podujevës, gjithashtu tha se prioritet në këto ditë do të jetë shëndetësia por kjo nuk është duke ndodhur./Llapi.info

Lexo më poshtë:

Të bllokuar në Dumosh, thërrasin mjekët në shtëpi (FOTO)

Jetimi i hendikepuar, i varfër, ka një kërkesë për Komunën e Podujevës