Sot është mbajtur diskutim publik në sallën e Kuvendit Komunal në Podujevë për propozimin e planit lokal për menaxhimin e mbeturinave në këtë komunë për vitin 2017- 2022.
Në këtë debat në të cilin ishin prezent një numër i vogël i qytetarëve si dhe përfaqësues të dy kompanive të mbeturinave në Podujevë u bënë disa vërejtje që kanë të bëjnë me këtë plan, shkruan Llapi.info
Menaxheri i kompanisë rajonale të mbeturinave“Pastrimi”, Shaban Restelica në këtë debat ka kërkuar nga komuna që një numër të madh i pikave të ndryshohen pasiqë sipas tij disa janë formuluara gabim e disa janë gabime teknike të cilat janë lëshuar me rastin e punimit të këtij projekti.
“Tek pika c në faqe 11 në të cilën është menduar për kontejnerët tokësorë dhe nëntokësorë, unë mendoj që të jenë vetëm kontejner vetëm mbitokësorë. Prej përvojës jo tonën si komunë po prej menaxherëve të njësive tjera, kontejnerët nëntokësorë kanë dalë që janë të pa suksesshëm” tha ai.
Mirëpo, përveç kësaj Beselica nuk la pa përmendur edhe lëshime tjera në këtë projekt. Sipas tij shërbimi i cili është paraparë që të bëhet në orët e vona, nga ora 22:00 deri në ora 6: 00 të mëngjesit duhet ndërruar pasiqë në këtë orë nuk janë kushtet për punë.
“Tek shërbimi që është natën nga ora 22:00 deri në ora 6 në mëngjes edhe këtu mendoj që për momentin në Komunën e Podujevës nuk ka kushte për me punu në ndërrim të natës. Mendoj që ta ndërrojmë ditën por jo prej orës 7:00 por të fillojmë bile verës të punojmë prej orës 5:00 apo 6:00, për arsye se për me bo shërbim natën duhet të kemi ndriçim. Por natën krijohet edhe një zhurmë e cila mund të jetë për banorë jo e mirë pasiqë atëherë njerëzit veç fillojnë ta bëjnë gjumin e natës” tha Beselica i cili shtoi se edhe “tek faqe 15 pika 3.1.2 është një fjalë e pa kuptueshme “mersologjike”. Pra nuk e kam të qartë” tha ai.
Por për punimin në orët e vona se ndriçimi do paraqes vështirësi, drejtori i Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi tha se edhe ashtu pas orës 7: 00 në qytet nuk bën që të kryhen ato shërbime.
Tutje, Beselica numëroi edhe një varg vërejtjesh bërë këtij plani.
“Faqe 17 te përqindja thuhet që kompania e pastrimit ka 66 % dhe Natyra 30 % të mbulueshmërisë. Edhe këtu po më duket është bërë ndonjë gabim se kompania Pastrimi nuk e mbulon me 66 % komunën e Podujevës por diku me 40 % për momentin. Ndërsa, faqe 33 te sistemi i tarifave thuhet që komuna i ka caktuar ato. Pra nuk është komuna. Gjithashtu edhe tek viti i planit që është 2015 duhet ndërruar të jetë 2017- 2022. Si dhe kontejnerët të mos jenë 240 litërsh pasi që janë të vështirë të shërbehen prej punëtorëve pasi që nuk kemi mekanizëm për këta kontejner. Pra është shumë i rëndë, duhet të jetë 125 litërsh” tha ai.
Të njëjtin mendim rreth këtyre pikave tha se e ka edhe menaxheri i kompanisë së pastrimit” Natyra” Faik Haliti.
Kurse, Drejtori i Shërbimeve Publike Faik Muçiqi, për këtë plan tha se “është bërë nga Komuna e Podujevës, “Eco dizajni”, Ministria e Ambientit, GIZ dhe bashkëpunëtorë tjerë” ku sipas tij ekspertët të cilët kanë bërë këtë e që janë nga Shqipëria kanë mundur të lëshojnë disa nga këto gabime por që më shumë janë teknike dhe se ato do të përmirësohen dhe do të ndërrohen me termet që përdoren në Kosovë.
Tutje ai këtë plan e quajti real duke u bazuar në gjendjen e cila është në Komunën e Podujevës.
“Plani është tërësisht real ka shumë vërejtje ka shumë sugjerime asgjë nuk është insistuar që të zbukurohet krahas gjendjes që është. Kjo ka qenë hapi i parë sepse përmes kësaj gjendje reale kemi mundësi të nxjerrim atë se çfarë do të bëjmë në 5 vitet e ardhshme” th ai.
Me këtë plan kanë të bëjnë tri drejtori në Podujevë, ajo e Shërbimeve Publike, Planifikimit dhe Urbanizmit dhe drejtoria e Inspeksionit.
Ky diskutim do të zgjatë deri më 20 janar të këtij viti./Llapi.info