Me 18 vota për, 13 kundër dhe asnjë abstenim është miratur sot raporti financiar për vitin 2014 i komunës së Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot në Kuvendin Komunal të Podujevës.

Isuf Latifi, drejtor i drejtorisë për buxhet dhe financa, prezantoi para kuvendit raportin financiar për vitin 2014. Sipas tij, raporti është i detajur dhe i përpiluar shumë mirë. Pjesa më e madhe e shpenzimeve ka shkuar për paga, mëditje dhe shpenzime kapitale.

Sipas tij, buxheti i komunës së Podujevës për vitin 2014, ka qenë 18.494.263 euro. Nga ky buxhet janë shpenzuar 17.609.842 euro apo 95.22%.

Shpenzimet sipas kategorive ekonomike:

Shpenzime për paga dhe mëditje, 10.375.596 euro, shpenzime për mallra dhe shërbime 993.558 euro, shpenzime për subvencione 423.913 euro, për investime kapitale 5.538.333 euro.

Opozita nuk u pajtua me raportin e prezantuar, duke thënë se ky raport ka shumë mospërputhje në pagesa.

Rafet Llapashtinca, nga grupi parlamentar i PDK-së, tha se puna jonë është të shqyrtohet mënyra e pagesave që janë bërë dhe se grupi parlamentar i PDK-së nuk e përkrah këtë raport.

“Pagesat që janë paraqitur në këtë raport nuk përputhen. Nuk e kuptoj se si subjektet tjera e kanë përkrahur këtë raport. Në raport thuhet se për ndërtim të rrugëve janë shpenzuar mbi 2 milion euro, kur e dim se për një km asfallt të mirë duhen 70.000 deri 72.000 euro. Atëherë sa km asfallt është shtruar në mënyrë që të përputhen këto pagesa? Pagesat gjyqësore për këtë vit janë rritur. 200.000 euro pagesa për ekzekutim nga gjykata. Shihet qartë se këto pagesa nuk përputhen”, ka thënë Llapashtica.

Edhe grupi parlamentar i LVV, shprehi shqetësimin e tyre për mospërputhje të pagesave.

Bahri Selimi, nga LVV, tha se në njërën prej kodeve të raportit pagesat janë të padefinuara dhe të paargumentara.

“Me shumën e mjeteve që është paraqitur në këtë kod prej 428.690 euro, minimum 22 paisje janë blerë dhe nuk janë argumentuar. Janë 428.690 euro të cilat janë të padefinuara dhe të paargumentuara”, ka thënë Selimi.

Nga ana tjerët, grupi parlamentar i LDK, u shpesh i kënaqur me prezantimin e raportit dhe shpenzimet që janë bërë./llapi.info