Vetëm gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar dhe janar të këtij viti janë raportuar mbi 2514 raste me grip në QKMF në Podujevë, shkruan Llapi.info.
Ani pse kjo shifër është relativisht e madhe, Epidemiologu i QKMF-së në Podujevë, Fadil Dabinovci tha për Llapi.info se numri i rasteve mund të mos jetë real pasi që sipas tij ka raste që nuk lajmërohen fare.
“Gjatë muajit dhjetorë të vitit të kaluar kanë qenë të raportuara 1584 raste me grip mirëpo gjatë kësaj periudhe ne dyshojmë që ka pasur raste edhe më tepër sepse është praktikë që një lajmërohet e një ose dy tre tjerë nuk lajmërohen fare. Pra marrin terapinë të cilën familjari i tyre paraprakisht është vizituar dhe e ka ordinar mjeku. Që do të thotë që kjo shifër 1584 duhet shumëzuar me tre.”tha ai.
Numër më i vogël i të prekurve me grip është shënuar në muajin janar të këtij viti ku sipas Dabinovcit janë shënuar 930 raste.
“Në muajin Janar duke e marrë parasysh që shkollat kanë qenë të mbylluar dhe nuk ka pasur mundësi të përcjelljes dhe të shpërndarjes të epidemisë në masa më të larta ishte muaji i pushimit fatbardhësisht numri që posedojmë tani i evidencës dhe paraqitjes së rasteve me epidemi është 930 raste”, tha ai për Llapi.info.
Si masa parandaluese të këtij gripi ai ka përmendur ushqimin me rregull, regjimin e ushqimit, regjimin e jetës, mos qëndrimin ku ka pluhur si dhe mos qëndrimin në ambiente të mbyllura ku nuk ka ventilim të ajrit.
Por sa i përket trajtimit të këtij gripi ai tha se nuk ekziston ndonjë bari specifik për grip pasi që cdo vit sipas tij virusi ndërron strukturën e tij. Por si masë e mundshme e trajtimit mund të jetë konsumimi i lëngjeve, pirja e vitaminave, ajrosja e dhomës etj.
“Mjekimi është simptomatik, nuk ka ende bari specifik për virusin e gripit për çdo vit ndërron strukturën anatogjenike. Duhet dhënë në rast se dyshojmë në ndonjë komplikacion të mundshëm duhet dhënë ndonjë antibiotikë, analgjezik dhe antiperiotik kundër dhimbjes dhe temperaturës, vitamina gjithashtu, konsumim të lëngjave dhe ne ajër të pastër dhe të ngrohtë. Ajri duhet të jetë sa më i ajrosur që të eliminohet virusi”, tha Dabinovci.
Megjithatë ai ka apeluar tek ata që janë të prekur me grip që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe ti shmangen kontakteve me të tjerët psh. nxënësit në shkolla apo të punësuarit në administratë, pasi që sipas tij, kjo po bënë që gripi të shpërndahet sa më shumë./Llapi.info