74 raste të sëmundjes së Varieçelasë apo siç njihet “Lia e Ujit” janë raportuar në dy muajt e fundit në Qendrën Klinike të Mjekësisë Familjare në Podujevë, shkruan Llapi.info.

Gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar janë raportuar 26 raste, ndërsa në janar të këtij viti 48 raste.

Fadil Dabinovci, Epidemiolog i QKMF-së në Podujevë, tha për Llapi.info se gjatë muajit të fundit janë rritur rastet e tilla me këtë sëmundje për dallim nga muaji dhjetor i vitit të kaluar.

“Në kuadër të kësaj mund të themi se në janar kemi raste të sëmundjes nga Variçela tek fëmijët që në dhjetor kemi pasur 26 raste ndërsa në janar i kemi 48 raste. Që do të thotë ka shkuar duke u rritur shifra. Sepse është koha e zgjatjes së periudhës së klinikës së saj më e theksuar që do të thotë ka pasur mundësi të përcjellët prej personi në person tjetër si sëmundje ngjitëse”, tha ai.

Shpërndarjes së kësaj sëmundje i kontribuojnë kontaktet e shpeshta sidomos nëpër shkolla tek fëmijët, përderisa ai ka bërë thirrje që fëmijët të cilët janë të prekur nga kjo sëmundje të mos dërgohen në shkolla dhe të lajmërohen tek mjeku familjarë./Llapi.info