Komuna e Podujevës së bashku me përfaqësues të kompanisë austriake “WDS Bau GhbH”, Thomas Dieringer, kanë nënshkruar marrëveshjen për fillimin e realizimit të projektit për ndërtimin e kolektorit kryesor të ujërave të zeza në komunën e Podujevës në vlerë prej 5.3 milion euro, njofton Llapi.info.
Projekti pritet të realizohet përmes kredisë së butë, kurse implementimi bëhet përmes Klauzolës për Investime sipas Marrëveshjes për bashkëpunim financiar në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Austrisë.
Sipas të parit te komunës së Podujevës ky projekt po shihet si një ndër më të rëndësishmit gjatë këtij mandati qeverisës.
“Ndërtimi i kolektorit të ujërave të zeza është ndër projektet më të rëndësishme gjatë këtij mandati qeverisës. Përmes realizimit të këtij projekti ujërat e zeza do të largohen nga lumenjtë tanë”, ka thënë Veliu me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes.
Ky projekt pritet të filloi gjatë muajit prill të këtij viti./Llapi.info