Nesër bëhen 10 vjet nga demonstrata e përgjakshme në Prishtinë, nga demonstratë kjo, ku mbeten të vdekur Arben Xheladini e Mon Balaj nga Podujeva, transmeton Llapi.info.
Në përvjetorin e 10-të të vrasjes së dy aktivistëve, Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se nesër nga ora 10:00 do të bëhen homazhe tek varri i Mon Balaj në Podujevë. Ndërsa nga ora 11:30 homazhe do të bëhen tek varri i Arbër Xheladinit në Prishtinë.
Nga ora 12:30 do të bëhen homazhe tek pllaka përkujtimore në sheshin ‘Nëna Terezë’ thuhet në komunikatë, ndërsa në orën 13:00 do të hapet ekspozitë me fotografi në atelenë e Pallatit të Rinisë “Adem Jashari.
Poashtu nga ora 14:00 do të mbahet Tribunë me temën ‘Plani i Ahtisaarit dhe tezat e Vetëvendosjes!-s, 10 vite pas’, në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë ‘Adem Jashari.
Xheladini dhe Balaj mbeten të vdekur nga plumbat e gomës së policëve rumun të UNMIK-ut.
Në po të njëjtën ditë përveç se u vranë dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, u plagosën edhe 80 protestues të tjerë, ndërsa u arrestuan më shumë se dhjetë aktivistë.
Protesta e 10 shkurtit e vitit 2007 kishte si qëllim kundërshtimin e Planit të Ahtisarit, i cili më vonë u shndërrua në bazë të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Kurti dhe Vetëvendosje e kishin konsideruar dhe vazhdojnë ta konsiderojnë këtë plan si zgjidhje jo të mirë dhe jo të drejtë të statusit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje, si çdo vit edhe sot organizon homazhe për nderim të Balajt dhe Xheladinit./Llapi.info