“Pa punë as jeta nuk është jetë. Mbi të gjitha është puna”.
Kështu e nis rrëfimin e tij me plotë vullnet për jetë Halil Kastrati nga Podujeva i cili sfidë kryesore e sheh punësimin e tij.

Vullneti për jetë shihet në sytë e tij. Halili shprehet i lumtur dhe krenar me jetën që jeton dhe se nuk lodhet asnjëherë, shkruan Llapi.info.

Ani pse jetën e ka të vështirësuar ai kurrë nuk është dorëzuar, e për këtë vullnet ai beson se i vjen nga Zoti.

“Kurrë nuk lodhem dhe kurrë nuk them “boll më” nuk mundem më. Ky vullnet më vjen nga i Lumi Allah. Edhe nuk më vjen ajo me thënë vallah jam lodh, jam i dëshpëruar prej jetës. Jo kurrë! Unë përkundrazi unë kam vullnet dhe dëshirë, me vazhdua jetën qysh cdo njeri, si cdo qytetarë edhe unë e vazhdoj ashtu qysh e ka thënë i Lumi Allah”, tha Kastrati.

Dëshira dhe kërkesa e Halilit nga Podujeva është që të gjejë punë dhe të jetë i pavarur.

“Nevoja dhe dëshira ime më e madhe është më hy me punua diku pavarësisht në çfarëdo vendi. Me dëshirë e kisha pranua dhe isha hy e kisha punua. Për me pas një të ardhme sadopak me qenë i pavarur vetë, mos me u var prej askujt, me pritë ndonjë ndihmë prej ndokujt. Por me qenë unë vet me pas mjetet e mia financiare dhe me qenë vet i pavarur.”, ka thënë ai.

Për këtë para tre muajve ka marrë edhe premtime nga i pari i komunës së Podujevës, Agim Veliu i cili sipas Kastratit i ka premtuar atij zgjidhje. Por deri më tani ato kanë mbetur vetëm premtime.

“Në komunë unë kam biseduar edhe me kryetarin Veliu, ai më ka dhënë vetëm fjalë që kam me të ndihmua por akoma nuk ka asgjë prej asaj punë. Po shpresoj qe ndoshta inshAllah donë Zoti e ma gjejnë një vend të punës. Kam biseduar me ta,  më kanë thënë që do të interesohemi me ta gjet një punë por tash te shohim”, tha Kastrati.


Ai ka apeluar tek organet komunal edhe shtetërore që t’u ndihmojnë personave me aftësi te veçanta dhe mos t’i lënë ata pas dore siç po ndodh tani.

“Unë i bëjë apel komunës dhe organeve më të larta për me u përkujdes për neve. Me na dhënë mbështetje me na dhënë kurajë. Unë nuk jam për ata që punojnë. Pa punë as jeta nuk është jetë. Se mbi të gjitha është puna, si të jesh tu punua edhe e avancon vet jetën e menaxhon vet jetën. Kështu që mesazhi im është që të na ndihmojnë” është shprehur Krasniqi.

Shkollën e fillore Halili e ka përfunduar në shkollën “Kongresi i Manastrit” në Gllamnik ndërsa shkollën e mesme, Ekonomikun “Isa Boletini”.

Halili kishte lindur me aftësi të veçanta. Ani pse para 17 vjete një specialist në Prishtinë i kishte thënë se sëmundja e tij ishte shërim, nga kushtet jo të mia, Halilit iu është dashur të vazhdoi jetën pa pasur mundësi shërimi.

“Unë gjithmonë jam i lumtur sepse mbështetem tek Allahu, kërkoj ndihmë prej Tij, dhe jam i lumtur gjithëherë”, përfundon ai rrëfimin e tij./Llapi.info