Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka uruar të gjithë qytetarët me rastin e 9-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Ai këtë ngjarje e ka quajtur kulmore për vendin dhe historinë tonë, njofton Llapi.info.

“17 Shkurti është ngjarja më kulmore e historisë së Kosovës. Në këtë datë, nëntë vite më parë, të zgjedhurit e popullit morën vendimin historik, duke shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik. Ky ishte kurorëzimi i përpjekjeve të kahmotshme të popullit tonë për Kosovën shtet Sovran”, ka shkruar Veliu në Facebook.

Me rastin e këtij 9- të vjetori, Veliu kujtoi edhe kontributin e Ibrahim Rugovës, që siç e ka quajtur ai, ideatorin e Kosovës së pavarur.

“Në këtë 9-vjetor, si në çdo vit tjetër, kujtojmë kontributin e jashtëzakonshëm të ideatorit të Kosovës së pavarur, Presidentit Historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Si dhe sakrificën e bijave dhe bijëve më të mirë të kombit gjatë historisë dhe të luftës së fundit.
Me bindjen e fuqishme se vendi ynë çdo ditë e më shumë po avancon drejt fuqizimit, zhvillimit dhe mirëqenies së përgjithshme. Urime përvjetori i nëntë i Pavarësisë së Kosovës!”, ka shkruar ai.

Kosova më 17 shkurt 2008 ka shpallur Pavarësinë e saj në ora 15: 39./Llapi.info