Llapjanëve u duhet të presin deri në muajin prill që të sanohen gropat e krijuara në mes të rrugëve të qytetit pas shkrirjes së borës që të ngasin lirshëm automjetet e tyre, shkruan Llapi.info.

Kështu së paku kanë thënë nga komuna e Podujevës të cilët arsyetohen me faktin që në këtë kohë nuk ka asfalt.

Dëmtime të rrugëve më së shumti vërehen në qendër të qytetit, tek rreth për Kirpimeh, në rrugën për në Dumnicë, tek Qershiat e Llapashticës etj…

Këtë për Llapi.info e ka pranuar edhe drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Podujevës, Faik Muçiqi i cili tha se sanimet e dëmtimeve të rrugëve në Podujevë bëhen gjatë muajit prill të këtij viti.

“Dimri na i ka dëmtuar shumë rrugët i ka  bërë disa gropa goxha të mëdha. Në këtë kohë nuk ka asfalt mirëpo mund të sanohen me beton por ajo për tri ditë prishet. Sanimi i gropave në qytet në rrugët e asfaltuara do të bëhet gjatë muajit prill”, tha ai.

Por gropat e krijuara në mes të rrugëve prej të cilave ka në thellësi të madhe po shkaktojnë rreziqe në komunikacion pasi që shpeshherë duhet kaluar në shiritin tjetër të rrugës për t’iu larguar një grope.