Mungesat e disa shenjave të komunikacionit në rrugët e qytetit të Podujevës po rrezikojnë banorët e këtij qyteti, shkruan Llapi.info.
Mungesa e tyre, më së shumti po u paraqet rrezik nxënësve pasi që në afërsi pothuajse të asnjë shkolle në Podujevë nuk ka shenja paralajmëruese apo vendkalim për këmbësorë.
Më të rrezikuar po ndihen nxënësit e shkollës fillore “Xheladin Rekaliu” në Podujevë, prindërit të cilëve thonë se fëmijët e tyre po rrezikohen çdo ditë në rrugën të cilën duhet ta kalojnë për të shkuar në shkollë.
Ata kanë thënë për Llapi.info se në rrugë kohë më parë kishte qenë një “pengesë” dhe kishte qenë vendkalimi për këmbësorë por tani ajo është larguar dhe komuna nuk i ka zëvendësuar ato.
Llapi.info ka kontaktuar komunën e Podujevës përkatësisht Drejtorin e Shërbimeve Publike Faik Muçiqin i cili tha se aty ku po kërkojnë prindërit të shtrihet ndonjë “polic i vdekur” ose të vendosen “zebra” pritet të i bie rrethrrotullimi i cili lidh këtë rrugë me magjistralen Podujevë-Prishtinë.
“Për kalesën afër hotel Besianës nëse projekti i rreth rrotullimit në ndërkohë nuk do t kryhet aty që mund të jetë pjesë e atij kalimi atëherë do të bëhet derisa të bëhet rrethrrotullimi afër shkollës tek Hotel Besiana” ka thënë Muçiqi.
Më tej ai ka thënë se këto dhe shenjëzimet e tjera priten të bëhen në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
“Shënjëzimet horizontale do të bëhen në gjashtëmujorin e parë në gjitha rrugët e qytetit, aty ku ato janë të dëmtuara ose ku mungojnë por përparësi kanë ato që para disa viteve janë të dëmtuara. Shenjëzimi varet nga përmirësimi i kohës sepse shenjëzimi nuk mund të bëhet në kohën e dimrit por bëhet dikur kah fundi i muajit mars apo fillimi i prillit. Ne mund ta bëjmë deri sa të vie rrethrrotullimi”, tha ai.
Mungesa e shenjave të komunikacionit shpesh herë ka rezultuar me aksidente në Komunën e Podujevës.