Klubi futbollistik KF Llapi, përmes një kumtese për medie ka bërë të ditur se nuk është ndryshuar kryesia e grupit të tifozëve të Llapit, “Legjendat”, njofton Llapi.info

Ata përmes kësaj komunikate kanë sqaruar se udhëheqës i këtij grupi tifozësh vazhdon të jetë  Bajram Bejtullahu që nga viti 2012 kur edhe ishte përzgjedhur nga votat e tifozëve të Llapit.

Ja komunikata e plotë e Llapit

Të nderuar qytetar të komunës së Podujevës dhe ju tifozëri e respektuar e FC LLAPI-t.
Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit futbolldashës në Podujevë ju njoftojmë se lajmi i cili ka dalë mbrëmë në disa faqe në Facebook dhe në disa portale, kinse për mbajtje të zgjedhjeve në grupin e tifozëve të FC LLAPI është i pavërtetë dhe si proces i papranueshëm për udhëheqjen e klubit tonë.
FC LLAPI njihet si klub me tifozëri të organizuar qysh moti, ndërsa në vitin 2012 tifozëria është riorganizuar dhe në proces të rregullt me votat e tifozëve, udhëheqës është zgjedhur Bajram Bejtullahu.
FC LLAPI është skuadër e madhe e me traditë, andaj ka edhe shume tifo-grupe të cilat dëshirojnë të japin kontribut dhe ta mbështesin skuadrën e zemrës. Për të gjithë ka vend, mirëpo gjithmonë duke respektuar strukturat dhe rregullat me të cilat funksionon FC LLAPI.
Klubi jonë është në pozitën më të mirë të organizimit që prej themelimit të tij. Po punojmë çdo ditë në përmirësimin e kushteve dhe arritjen e sukseseve të cilat nxjerrin klubin tonë në arenën ndërkombëtare.
Në këtë kohë ajo që na duhet është bashkimi i të gjithëve për arritjen e qëllimit kryesor – “FC Llapi në Evropë”.
Me respekt: Kryesia e FC LLAPI – Podujevë.