Në kuadër të pikës së rendit të ditës për informim të aktiviteteve të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, sot në Kuvendin Komunal të Podujevës asamblistët e këtij kuvendi kanë kërkuar siguri më të madhe në afërsi të shkollave të mesme në Podujevë, shkruan Llapi.info.

Kësaj ideje i ka paraprirë shefi i grupit parlamentar të LDK- së Fidan Rekaliu i cili tha se plagosja e dy nxënësve dje në shkollën e mesme teknike në “Fan S. Noli” është rast për shqetësim. Sipas tij në mënyrë që të kemi një siguri më të madhe për këta nxënës, Drejtoria e Arsimit në Podujevë së bashku me KKSB- në duhet të bëjnë një plan për vendosjen e kamerave në afërsi të këtyre shkollave.

“Kisha dashur që të shtohet një vëmendje më shumë tek nxënësit e shkollave të mesme të jetë një koordinim edhe me Drejtorin e Arsimit tu i ditë pak rastet siç ishte edhe ai i djeshmit, që u plagosën nxënësit. Edhe pse ka ndodhur prej jashtë ai rast unë kisha kërkuar që të shikohet ajo mundësia që të ofrohet një mënyrë më e sigurt edhe për nxënësit në tri shkollat e mesme, njëkohësisht që të diskutohet edhe për vendosjen e kamerave në qytet, por kisha propozuar që vendosja e kamerave të jetë edhe në afërsi të shkollave. Pra, në oborre të shkollave dhe në rrugën kryesore që kalon nga shkollat e mesme të Podujevës. Unë kisha kërkua që të bëhet një plan i veçantë nga Drejtoria e Arsimit me KKSB- në që të ofrohet siguri akoma më e madhe edhe për nxënësit dhe të shikohet mos po përdorin këta nxënës edhe ndonjë substancë” tha Rekaliu.

Kurse për këshilltarin e PDK- së ,Flakron Gashi, 48 orëshi i fundit ishte i zi. Sipas tij dy raste të cilat ndodhën brenda 48 orëve të fundit janë rast për shqetësim dhe se e gjithë kjo po vjen si shkak i numrit të vogël të policëve në këtë qytet.

“Meqenëse flasim për sigurinë në Bashkësi nuk mund ta anashkalojmë një 48 orësh, i zi ta them, dhe brenda kësaj periudhe kanë ndodhe dy aksidente të tmerrshme. Një në komunikacion me fatalitet që ka humbur jetën një i ri dhe një tjetër brenda objektit shkollor që është plagosur. Unë besoj që fenomene të tilla ndodhin edhe për një arsye. Jemi të gjithë të vetëdijshëm që në Komunën e Podujevës stacioni policor ka mungesë të infektivëve të Policisë, dhe kryetari i komunës, si kryetar i KKSB- së, duhet të bëj çmos që të kërkoj që numri i policëve të jetë më i madh në Podujevë kur dihet që jemi komuna me territorin më të madh në nivel të Kosovës” tha Gashi.

Problem tjetër sipas Gashit është edhe qarkullimi i huliganëve të ndryshëm në afërsi të shkollave të mesme.

“Sot veturat e huliganëve që më së paku janë nxënës dhe qytetarë të mirëfilltë oborret e shkollave të mesme i kanë shndërruar në rreth rrotullime dhe hyjnë e dalin. Pastaj shpejtësi jashtë çdo limiti dhe rregullave të komunikacionit rrugor në afërsi të dy shkollave të mesme dhe rrugëve tjera brenda Podujevës. Bëj apel që në kontinuitet që në afërsi të këtyre shkollave të ketë një patrullë e cila qëndron aty” tha ai.

Problemin e numrit të vogël të policëve në Podujevë e paraqiti edhe shefi i grupit të këshilltarëve të LVV- së Haki Rudari i cili tha se me 14 policë më pak sesa që duhet të jenë, kjo Komunë është duke rënë edhe në kundërshtim me ligjin.

“Podujeva ka mungesë të Policisë 14 më pak që mendoj që është në kundërshtim edhe me ligjin. Nëse edhe në periudhën e pushimeve hyjmë dhe e shikojmë atëherë mungesa e tyre është shumë e madhe. Nuk e di çka të presim. Duhet bërë kërkesë pasiqë duhet të jenë 91 policë zyrtarë e 77 sa janë tani. Kjo është në dobi të qytetarëve” tha ai.

Kurse, Kadri Avdiu këshilltar i grupit 3+ tha se duhet bërë një kërkesë unanime në mënyrë që rasti i plagosjes së nxënësve në ditën e djeshme të hetohet dhe të vërtetohet se kush shtiu në drejtim të shkollës.

“Ne duhet të kërkojmë nga ky Kuvend me një kërkesë unanime që të kërkoj nga organet e Policisë që ajo sa më shpejt të hetohet dhe të vërtetohet kush shtiu plumb. Kërkoj nga ata ekspert që të hulumtohet dhe të zbardhet ky rast dhe të merren masat sepse mund prapë edhe të përsëritet” tha ai.

Kujtojmë se dje në shkollën e mesme teknike “Fan S. Noli” në Podujevë dy nxënës u plagosën nga një “plumb qorr” teksa ishin brenda objektit shkollor./Llapi.info