Në një manifestim të organizuar për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka uruar mësimdhënësit llapjanë dhe ka nderuar me mirënjohje mësimdhënësit e dalluar, mësimdhënësit që kanë shkuar në pension dhe ka ndarë mirënjohje post-mortum për mësimdhënësit që ndërruan jetë brenda këtij viti shkollor, njofton Llapi.info.

Komuna e Podujevës, me një manifestim të organizuar në Sallën e Tetarit “Avdush Hasani” ka shënuar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, me ç’rast me mirënjohje janë nderuar veteranë të arsimit dhe mësimdhënës të dalluar.

Në këtë manifestimin e sotëm ku ishin të pranishëm mësimdhënës nga të tri nivelet e arsimit dhe zyrtarë komunalë, Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, foli rrugëtimin dhe zhvillimin e sprovat nëpër të cilat kaluan mësimdhënësit, që nga hapja e shkollës së parë shqipe.

“Si te asnjë popull dhe vend tjetër, shkollimi ynë në gjuhën amtare ka qenë sa sakrificë e mund po aq krenari. Përderisa popujve të tjerë u lejohej mësimi i kulturës dhe traditës në gjuhët e tyre, nga Iluminizmi dhe Rilindja, nga gjuha shqipe frikoheshin, e së këndejmi bashkërendoheshin e bashkëvepronin armiqtë e kombit shqiptar”, tha kryetari Veliu.

Kryetari Veliu tha se “kjo ditë është një rast i mirë për të përkujtuar ata që vunë themelet e shkollës shqipe, mundin dhe sakrificën që bënë, por edhe për të rikujtuar se na presin shumë punë për të qenë në shërbim të dijes, nxënësve dhe kombit. Sot nuk mund e të mos e përmendim zanafillën e SHKOLLËS SHQIPE, që nisi në KORÇË me hapjen e Mësonjëtores së parë shqipe para 130 vjetësh, më 7 MARS 1887, me mësuesit e saj të parë: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Naçi Nuçi, Thoma Avrami, Gjerasim Çiriazi e të tjerë”.

“Mësuesit u vunë në ballë të të gjitha proceseve edhe në kushte mjaft të rënda, por me vullnet të pathyeshëm, ata përballuan të gjitha vështirësitë për të shpërndarë dituri edhe në fshatrat më të thella malore”, tha kryetari Veliu.

“Nuk mund e të mos i përmendim edhe me emër disa nga mësuesit që në periudha të mëhershme me punën, guximin dhe vetësakrificën e tyre lanë gjurmë e bënë histori, si: Fehmi Agani, Latif Berisha, Xhavit Ahmeti, Halit Geci, Shaban Jashari, Fazli Greiçefci, Shaban Shala, Nuhi Gashi e të tjerë, si dhe mësuesit e vrarë gjatë luftës së fundit, në mbrojtje të nxënësve dhe shkollës shqipe, në mbrojtje të vendit dhe popullit, siç janë: Remzi Demolli, Jetullah Islami, Ejup Shala, Salih Hetemi, Behxhet Podvorica, Xhevat Jupolli, Faik Jaha, Hajdin Rexhepi e të tjerë”, tha kryetari Veliu.

Kryetari Veliu tha se Komuna e Podujevës jonë ka rreth 20.000 nxënës dhe mbi 1.330 mësimdhënës ne 41 institucione arsimore, me mbi 65 objekte shkollore, shumica prej tyre të reja apo të renovuara tërësisht.

“Në këtë ditë feste, zotohemi se do të bëjmë gjithë të mundurën që të përmirësojmë kushtet për punë dhe mësim, duke përmirësuar infrastrukturën aktuale shkollore, por edhe duke ndërtuar shkolla të reja”, tha Kryetari.

Duke folur për projektet që janë duke u realizuar, kryetari Veliu tha se këtë vit pritet të funksionalizohet objekti i ri i shkollës “Luigj Gurakuqi” në Batllavë, të vazhdojnë punët në përfundimin e objektit të shkollës “Emin Duraku” në Bajçinë dhe së shpejti të fillojë ndërtimi i objektit të shkollës “Dituria” në Llapashticë të Poshtme.

“Paralel më këtë, ne jemi duke ndërtuar trotuare në rrugët që çojnë afër shkollave në gjithë territorin e komunës. Shumicën e shkollave i kemi bërë me ngrohje qendrore dhe kemi filluar t’i pajisim me laboratorë e kabinete për të përmirësuar cilësinë në mësimdhënie e në të nxënë”.

“Rëndësi të posaçme u kemi kushtuar edhe nxënësve me nevoja të veçanta dhe përveç një numri të madh të nxënësve të këtyre kategorive që kemi arritur t’i integrojmë në klasë të rregullta ne kemi edhe klasat e bashkëngjitura në shkollën fillore e të mesme të ulët “Kongresi i Manastirit” në Gllamnik. Po ashtu kemi hapur edhe Qendrën e Autizimit në kuadër të shkollës “Ibrahim Rugova” me staf profesional në mënyrë që këta fëmijë mos të jenë të detyruar të udhëtojnë gjer në Prishtinë për të marrë shërbimet e tyre”, tha kryetari Veliu, duke përmbyllur fjalën e tij në këtë solemnitet me thënien e shkrimtarit të njohur Dan Brown: “Dituria rritet në mënyrë eksponenciale. Sa më shumë që dimë, është më e madhe aftësia jonë për të mësuar dhe më shpejtë zgjerojmë bazën e diturisë sonë”.

Me këtë rast kryetari Veliu ka nderuar me mirënjohje mësimdhënësit e dalluar të shkollave fillore dhe të mesme, mësimdhënësit që janë pensionuar brenda vitit të fundit shkollor dhe me mirënjohje post-mortum mësimdhënësit që kanë ndërruar jetë gjatë vitit të fundit .

Manifestimin për nder të Ditës së Mësuesit e begatoi me një program artistik Shoqëria Kulturore Artistike”Josip Rela”.