Tajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka deklaruar se rezultati 2:0 është më i keqi në futboll. Skuadra e tij ishte duke fituar 2:0 ndaj Lirisë, më pas prizrenasit shënuan tri herë, dhe në fund llapjanët u kualifikuan në gjysmëfinale të Kupës vetëm pas vazhdimeve, 4:3.

“Nuk ka qenë e lehtë të mposhtet Liria, e cila ka skuadër të fortë, që dinë të bëjë lojë të mirë në fushë sintetike. Rezultati 2:0 është më i keqi në futboll, u vërtetua edhe sot. I pranuam dy gola, ishim në disavantazh e kthyem prapë, por angazhimi dhe morali i lojtarëve bëri ta fitojmë ndeshjen. Ishte lojë të jesh apo të mos jesh. Kemi kohë të mjaftueshmë të riparojmë gabime që në kupë të jemi më të saktë dhe t’i fitojmë më lehtë. Liria nuk e meriton të jetë këtu ku është në renditje, e meriton të jetë në gjashtëshe”, tha Batatina për Super Sport Kosova, transmeton Llapi.info.

“Shpresoj që Llapi këtë sezon do të luajë në finale, pasi gjysmëfinalja na mundëson dy lojë, shkuarje dhe ardhje. Gjatë procesit të garave në kampionat kemi mundësi të ruajmë fondin e lojtarëve. Rival gjysmëfinal janë të fortë, si Besa si 89-shi nëse kalon, por edhe Drenica, mirëpo kjo do të jetë më e rezervuar shkaku i gjendjes në kampionat”, shtoi ai.