Kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu ka pritur sot në takim Vezir Januzin zëvendësministër i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Gjatë takimit të sotëm, Veliu ka informuar zv-ministrin Januzi për zhvillimet dhe investimet në sektorin e bujqësisë në Podujevë si dhe format me të cilat Komuna po i përkrah fermerët llapjanë, sidomos përmes subvencionimeve, thuhet në komunikatën komunale, transmeton Llapi.info.
Kryetari Veliu tha se në Komunën e Podujevës në vazhdimësi po rritet numri i qytetarëve të cilët po merren me veprimtari bujqësore, ndërsa është inkurajues edhe numri i grave dhe të rinjve, të cilët po merren me bujqësi.
Zëvendësministri Januzi ofroi mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për fermerët llapjanë, duke premtuar angazhim maksimal për rritjen e mbështetjes, bazuar në rritjen e numrit të fermerëve në këtë zonë.
Në takim u diskutua edhe për koordinimin në mes të Komunës së Podujevës dhe MBPZHR-së për të mbështetur nisma dhe projekte të rëndësishme të cilat gjenerojnë vende pune dhe që sjellin në tregun llapjan e kosovar produkte cilësore.