Në kuadër të muajit prill i cili ndryshe njihet edhe si muaji i Autizmit, kopshti i fëmijëve “Engjujt” në Podujevë ka organizuar sot një aktivitet humanitar në sheshin e qytetit në ndihmë të fëmijëve me autizëm në këtë Komunë, shkruan Llapi.info.

Me moton “Engjujt për Engjujt”  këta fëmijë kanë përgaditur torta dhe i kanë shitur ato me qëllim që të mbledhin të holla për fëmijët e prekur nga autizmi në Komunën e Podujevës.

Drejtoresha e kopshtit “Engjujt” Bukurie Sopa tha se qëllimi i këtij aktiviteti i cili është bërë në bashkëpunim me prindërit e fëmijëve është që t’i ndihmojmë fëmijët të cilët janë të prekur nga autizmi si dhe të ngritim vetëdijen e banorëve të Podujevës që të mos i injorojnë këta persona.

“Në bashkëpunim me prindërit ne kemi organizuar një aksion humanitar në ndihmë për fëmijët me autizëm. Të gjitha këto të holla të mbledhura do të dorëzohen në qendrën për autizëm e cila është në komunën tonë. Përveç ndihmës që dëshirojmë tua bëjmë qëllim tjetër yni është që edhe t’i vetëdijësojmë banorët e qytetit tonë se autizmi ekziston tek ne dhe se ne duhet ta përkrahim dhe të mos ta injorojmë edhe të jemi bashkërisht me ta dhe ti ndihmojmë edhe prindërit e tyre” tha ajo.

Kurse Mendime Kosumi njëra prej terapisteve në Qendrën e Autizmit në Podujevë tha se mjetet të cilat do të mblidhen nga shitja e këtyre tortave, do të shërbejnë për sigurimin e mjeteve të cilat janë harxhuese në këtë qendër.

“Ne kemi mjete të cilat i ka siguruar donatorja jonë dhe iniciatorja për me e hapë qendrën Shpresa Xhakli prej Amerikës por në vazhdimësi na duhen mjete për fëmijët pasiqë ato janë mjete harxhuese kështu që këto të holla të cilat do të grumbullohen kemi me i përdorë me ble mjete për këta fëmijë” tha Kosumi.

Në këtë aktivitet humanitar morën pjesë rreth 30 fëmijë të kopshtit “Engjujt”. Përvec tyre për vizitë ishte edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu si dhe drejtorë e zyrtarë komunalë.

Ky aktivitet ka filluar në ora 11:00 dhe do të mbarojë në orën 14:00./Llapi.info